Izet Mexhiti takon babain e dëshmorit Mujdin Aliu, Qerimin: Sakrifica e familjes së tij, të japin forcë për më shumë punë
Izet Mexhiti ka takuar babain e dëshmorit Mujdin Aliu, Qerimin ku ka treguar edhe se për çfarë është biseduar, njofton albazone media.
Postimi i plotë nga MEXHITI:
Takimi i sotëm me babain e dëshmorit Mujdin Aliu, babë Qerimin, ishte nga ato çaste që të prekin thellë. Qetësia e tij, mënyra si flet për të birin dhe sakrificën e familjes së tij, të japin forcë për më shumë punë, më shumë përkushtim dhe më shumë përgjegjësi ndaj detyrës që mbaj.
Në çdo fjalë të tij ka urtësi dhe besë ndaj vendit. Ai të kujton se sakrifica e Mujdinit nuk është një histori e largët, por themeli mbi të cilin ne sot ndërtojmë të ardhmen. Ky takim ishte një rikujtim i fuqishëm i peshës së amanetit që kanë lënë heronjtë tanë.
Babai i Mujdinit mban me dinjitet kujtimin e djalit që u ngrit në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe u bë pjesë e pavdekësisë së Koshares. Në fytyrën dhe fjalët e tij sheh krenarinë, dhimbjen dhe qëndrueshmërinë që e kanë mbajtur gjallë frymën e lirisë në këtë vend.
Sot pata nderin ta falënderoj për vizitën dhe urimet e tij për detyren e re, por mbi të gjitha për sakrificën që familja e tij i ka dhënë kombit. Vepra e Mujdin Aliut do të mbetet gjithmonë një dritë që na udhëheq dhe një kujtesë e fortë për rrugën që kemi përpara.

