Këshilli i BE-së, Maqedonisë së Veriut: Zbatoni ndryshimet kushtetuese dhe reformat
Këshilli i Bashkimit Evropian përshëndet faktin se integrimi evropian mbetet një objektiv strategjik i Maqedonisë së Veriut dhe e fton atë të intensifikojë përpjekjet për avancimin e reformave të lidhura me BE-në. Kjo, ndër të tjera, theksohet në draft-përfundimet e Këshillit për zgjerimin e BE-së, në prag të samitit të Unionit me liderët e Ballkanit Perëndimor, i cili pritet të mbahet nesër, më 17 dhjetor, në Bruksel.
Duke rikujtuar përfundimet e korrikut 2022, Këshilli vëren se Maqedonia e Veriut ende nuk i ka miratuar ndryshimet kushtetuese, për të cilat është zotuar.
“Këshilli konfirmon gatishmërinë e tij për të thirrur edhe një konferencë tjetër ndërqeveritare, pa vonesa të mëtejshme apo vendim shtesë politik, sapo Maqedonia e Veriut ta zbatojë këtë obligim, në përputhje me procedurat e saj të brendshme”, thuhet në dokument.
Më tej, siç theksohet në përfundimet që pritet të miratohen njëzëri gjatë ditës, Këshilli është i gatshëm të hapë sa më shpejt klasterin e parë të negociatave, në përputhje me Kornizën Negociuese.
Draft-përfundimet bazohen në raportet e mëparshme të BE-së për progresin e vendeve kandidate për anëtarësim në Union. Përveç Maqedonisë së Veriut, ato kanë të bëjnë edhe me pesë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Mali i Zi, Serbia, Kosova dhe Bosnje-Hercegovina), si dhe me Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë.
Ndryshe, nevoja për ndryshime kushtetuese është një obligim që Maqedonia e Veriut e mori përsipër në vitin 2022 për të tejkaluar kontestin me Republikën e Bullgarisë, e cila në vitin 2020 vendosi veto për fillimin e negociatave.
Me arritjen e kompromisit, Qeveria e Maqedonisë mbajti një konferencë ndërqeveritare me Brukselin, ndërsa për të mbajtur të dytën, vendi mori përsipër obligimin që në Preambulën e Kushtetutës, përveç komuniteteve të tjera, ta shtojë edhe komunitetin bullgar. Nga ana tjetër, me këtë zgjidhje kompromisi u ruajt formulimi i pastër për gjuhën maqedonase, me ç’rast Bullgaria dha një deklaratë unilaterale në të cilën shprehu qëndrimin e saj për këtë çështje.
Mbrojtja e pavarësisë së gjyqësorit dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit
Këshilli gjithashtu thekson se nevojiten veprime të shpejta dhe vendimtare që Maqedonia e Veriut t’i përmbushë kriteret fillestare për hapjen e klasterit të parë të quajtur “Themeloret” (Fundamentals).
Këshilli po ashtu e fton Maqedoninë e Veriut t’i intensifikojë përpjekjet dhe t’i zbatojë reformat, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, ku nuk është shënuar progres gjatë vitit të kaluar.
“Maqedonia e Veriut duhet ta mbrojë pavarësinë dhe integritetin e gjyqësorit, përfshirë përmes forcimit të Këshillit Gjyqësor në përputhje me rekomandimet e misionit të rishikimit të vitit 2023 dhe mendimin e Komisionit të Venecias. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet të forcohet. Maqedonia e Veriut duhet ta përmirësojë bilancin e saj me hetime efektive, ndjekje penale, vendime përfundimtare dhe konfiskim të pasurisë kriminale në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë”, thuhet në draft-përfundime.
Këshilli, ndër të tjera, e fton Maqedoninë e Veriut të miratojë një Kod Penal të ri në përputhje me legjislacionin e BE-së dhe standardet ndërkombëtare. Vihet re se është arritur njëfarë përparimi në fushën e reformës së administratës publike dhe Maqedonia e Veriut inkurajohet t’i intensifikojë përpjekjet lidhur me modernizimin e administratës publike dhe sigurimin e kapacitetit të nevojshëm administrativ.
Gjithashtu, autoritetet e Maqedonisë së Veriut inkurajohen që në mënyrë gjithëpërfshirëse të përgatisin dhe finalizojnë punën për të tre udhërrëfyesit: për funksionimin e institucioneve demokratike, reformën e administratës publike dhe kapitujt për sundimin e ligjit, si dhe planin e veprimit të dedikuar për mbrojtjen e të drejtave të personave që u përkasin pakicave ose komuniteteve.
“Këshilli e përsërit thirrjen e tij drejtuar Maqedonisë së Veriut për forcimin e mëtejshëm të të drejtave themelore, përfshirë të drejtat e personave që u përkasin pakicave ose komuniteteve, lirinë e mediave dhe lirinë e shprehjes”, thuhet ndër të tjera në draft-përfundime.
Këshilli gjithashtu i përshëndet zgjedhjet e fundit lokale të mbajtura në tetor dhe nëntor 2025 si përgjithësisht konkurruese, megjithëse me disa mangësi procedurale. Shtohet se ende nevojitet një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore, e cila përfshin edhe zgjidhjen e rekomandimeve të mbetura të OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias.
Këshilli e përshëndet bashkëpunimin në menaxhimin e kufijve ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Frontex-it dhe e fton Maqedoninë e Veriut t’i forcojë përpjekjet për përmirësimin e sistemeve dhe procedurave për pranimin e azilit.
Përparim i kufizuar në ekonominë e tregut
Sa i përket kritereve ekonomike, Këshilli vëren një nivel të mirë përgatitjeje dhe përparim të kufizuar që Maqedonia e Veriut ka arritur në zhvillimin e një ekonomie funksionale të tregut. Vihet re se Maqedonia e Veriut ka shënuar njëfarë përparimi dhe vendi kandidat inkurajohet t’i intensifikojë përpjekjet për t’u përballur me presionin konkurrues dhe forcat e tregut brenda BE-së, si dhe të zbatojë reformat e nevojshme strukturore.
Këshilli përshëndet përparimin e fundit lidhur me lidhjen hekurudhore përgjatë Korridorit të transportit 8, i cili ka rëndësi strategjike, dhe pret zbatim efikas të obligimeve të marra.
Këshilli gjithashtu mbetet i përkushtuar ndaj përparimit të mëtejshëm të integrimit gradual të Maqedonisë së Veriut në tregun e brendshëm të BE-së, bazuar, ndër të tjera, në zbatimin e forcuar të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.
Po ashtu, Këshilli e përshëndet zbatimin e vazhdueshëm të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor në Maqedoninë e Veriut, i cili, siç theksohet, është në rrugë të mbarë për t’u sjellë përfitime konkrete qytetarëve.
Zbatimi i marrëveshjeve bilaterale
Këshilli vëren se marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimi rajonal mbeten elemente thelbësore të procesit të zgjerimit, si dhe të Procesit të Stabilizim-Asociimit.
Këshilli rikujton rëndësinë e arritjes së rezultateve të prekshme dhe zbatimit me mirëbesim të marrëveshjeve bilaterale, përfshirë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Marrëveshjen për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Bullgarinë, në përputhje me Kornizën Negociuese.
Këshilli e vlerëson fuqishëm Maqedoninë e Veriut për bashkëpunimin e saj të vazhdueshëm në çështjet e politikës së jashtme dhe për përafrimin e saj të plotë, të qëndrueshëm dhe afatgjatë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian, përfshirë edhe në lidhje me masat restriktive të BE-së. Kjo interpretohet si një sinjal i fortë i përkushtimit strategjik të Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj drejt BE-së.
Në përgjithësi, Këshilli e konfirmon rëndësinë gjeostrategjike të zgjerimit si një kontribut të madh për paqen, sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin evropian në shekullin e njëzet e një. Këshilli thekson se duhet të ruhet një proces zgjerimi efektiv, “i bazuar në merita dhe i besueshëm”, mbi bazën e kritereve të Kopenhagës, parimeve të përcaktuara dhe metodologjisë ekzistuese.
Ndër të tjera, Këshilli i fton të gjithë partnerët ta shfrytëzojnë momentumin dhe të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshëm për ta përshpejtuar përparimin e tyre në rrugën drejt BE-së, në një, siç theksohet, kontekst gjeopolitik gjithnjë e më të paqëndrueshëm./REL/

