Kongresi i BDI-së, Ahmeti në fjalimin e tij do të paraqesë katër rezoluta strategjike
Bashkimi Demokratik për Integrim sot në Shkup do të mbajë kongresin e pestë. TV21 mëson se përveç ndryshimeve kadrovike dhe riorganizimin e strukturave partiake, nga ky kongres do të burojnë edhe katër rezoluta strategjike.
Në lidhje me: BDI sot mban Kongres në Shkup
Rezolutat do t’i paraqesë në fjalimin e tij kryetar i partisë Ali Ahmeti.
Burime për TV21 thonë se Ahmeti do të përcaktojë drejtimet politike të Bashkimit Demokratik për Integrim për periudhën e ardhshme katërvjeçare, si dhe vizionin për zhvillimin demokratik, institucional dhe shoqëror të shtetit.
“Ky fjalim do të shërbejë si orientim politik jo vetëm për veprimtarinë e BDI-së, por edhe për rrugën e zhvillimit të vendit në vitet që vijnë. Nga ky fjalim do të dalin katër rezoluta, të cilat përfaqësojnë boshtin themelor të angazhimit politik të BDI-së dhe do të shërbejnë si “via” që partia do ta ndjekë në mandatin e ardhshëm katërvjeçar të veprimtarisë së saj politike” – thotë burimi brenda BDI-së.
Rezolutat që do të shqyrtohen dhe miratohen nga delegatët e Kongresit të Pestë janë:
Rezoluta I – Për përforcimin e karakterit unitar të shtetit dhe konsolidimin e barazisë funksionale
Rezoluta II – Për shtetin e së drejtës, drejtësinë e pavarur dhe rikthimin e besimit në institucione
Rezoluta III – Për marrëveshjen kombëtare për përparim dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit
Rezoluta IV – Për integrimin evropian
Nga partia thonë se, këto katër rezoluta përfaqësojnë platformë dhe vizionin strategjik të Bashkimit Demokratik për Integrim për katër vitet e ardhshme dhe konfirmojnë rolin e saj si faktor kyç në drejtimin e proceseve demokratike dhe integruese të shtetit.

