RajoniTop Lajme

Kosova dhe BE-ja drejt heqjes së masave: Mesazhi i Presidentes Osmani në Bruksel

Shpërndaje

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit të saj në Bruksel, ritheksoi përkushtimin e palëkundur të Kosovës ndaj integrimit evropian. Ajo falënderoi Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, znj. Kaja Kallas, për mbështetjen e vazhdueshme që BE-ja po i jep Kosovës në rrugën e saj evropiane, njofton albazone media.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani nënvizoi rëndësinë e heqjes së plotë të masave ndaj Kosovës, duke theksuar se të gjitha kushtet e përcaktuara nga Bashkimi Evropian tashmë janë përmbushur. Kosova, si partnere e besueshme, do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me institucionet evropiane dhe me të gjithë partnerët ndërkombëtarë deri në realizimin e plotë të këtij objektivi strategjik.

Postimi nga Osmani:

Në Bruksel, e falënderova Përfaqësuesen e Lartë Kaja Kallas për mbështetjen e saj të vazhdueshme për integrimin evropian të Kosovës. 🇽🇰🇪🇺

Pas njoftimit për heqje të pjesshme të masave, ritheksova domosdoshmërinë e heqjes së tyre të plotë, meqë të gjitha kushtet e vëna nga Bashkimi Evropian tanimë janë plotësuar.

Ne do të vazhdojmë të punojmë ngushtë me znj. Kallas dhe me të gjithë partnerët tanë deri në heqjen e plotë të këtyre masave.

Në Bruksel u mirëprita nga Presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian, António Costa. 🇽🇰🇪🇺
Mirëpresim vendimin e BE-së për heqjen e pjesshme të masave, përderisa shpresojmë e punojmë që, sa më parë, ato të hiqen në tërësi. Republika e Kosovës ka dëshmuar konstruktivitet, bashkëpunim e përputhshmëri të plotë me politikën e jashtme e të sigurisë të Bashkimit Evropian.
Në takim potencova se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet e përcaktuara nga vetë BE, sado që ato ishin të padrejta, prandaj nuk ka asnjë arsye që të pengohet e shtyhet heqja e masave të tjera të mbetura. Në anën tjetër, shpresojmë që sa më parë, të kemi përkrahjen e të gjitha shteteve anëtare që edhe Kosova, bazuar në merita, të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.