KQZ certifikon kandidatët për zgjedhjet e 28 dhjetorit, Lista Serbe dhe 1 kandidate e subjektit boshnjak mbeten jashtë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës (KQZ) nuk ka certifikuar sot kandidatët e Listës Serbe për deputetë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, vetëm një javë pasi dështoi t’ia ndalonte pjesëmarrjen në këto zgjedhje partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.
Ky është tentimi më e fundit në një varg përpjekësh të dështuara të disa anëtarëve të komisionit për t’ia pamundësuar kësaj partie pjesëmarrjen në zgjedhje qoftë parlamentare apo lokale në vend.
Me dy vota kundër, gjashtë abstenime dhe tri për, 33 kandidatët e Listës Serbe nuk u certifikuan pavarësisht se Zyra për Regjistrimin e Partive Politike kërkoi certifikimin e tyre duke thënë se emrat e tyre nuk bien ndesh me ligjin për zgjedhjet.
Çfarë ndodhi në mbledhje?
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur mbledhjen e 95-të për këtë vit, të kryesuar nga Kreshnik Radoniqi, gjatë së cilës janë marrë vendime të rëndësishme lidhur me procesin e certifikimit të kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Në pjesën e parë të mbledhjes, KQZ ka certifikuar kandidatët për deputetë të 23 subjekteve politike: 17 parti politike, 3 koalicione, 2 iniciativa qytetare dhe 1 kandidat të pavarur. Në total, 1,146 kandidatë do të kenë të drejtë të marrin pjesë në garën zgjedhore.
Ndërkohë, lista me 33 kandidatë e paraqitur nga partia politike Lista Serbe nuk arriti të marrë votat e nevojshme për certifikim, duke mbetur jashtë procesit në këtë fazë. Po ashtu, KQZ ka certifikuar vetëm 42 nga 43 kandidatët e subjektit politik KOALICIJA VAKAT, që përfaqëson komunitetin boshnjak. Njëra nga kandidatet nuk u certifikua për shkak të pretendimeve se ajo i përket etnisë shqiptare, çka sipas KQZ-së mbetet një situatë ende e padefinuar plotësisht.
Lidhur me vendimet për moscertifikim, subjektet e prekura kanë të drejtë të parashtrojnë ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), organi kompetent për shqyrtimin e ankesave zgjedhore.
Zgjedhjet e 28 dhjetorit
Në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lista Serbe i fitoi 9 prej 10 ulëse të garantuara për pakicën serbe në Kuvendin e Kosovës. Ndërsa, ajo i fitoi të gjitha 10 komunat me shumicë serbe në zgjedhjet lokale të tetorit, duke u rikthyer në pushtet pasi i kishte braktisur institucionet e Kosovës më 2022.
Kosova do të mbajë zgjedhje të parakohshme këtë muaj sepse partia në pushtet e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, Lëvizja Vetëvendosje, nuk arriti në dy përpjekje ta marrë mbështetjen e Kuvendit për një mandat të ri. Ajo i fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit, por 48 ulëse në Kuvend ishin të pamjaftueshme për të qeverisur e vetme dhe ajo nuk gjeti një partner për të formuar qoftë edhe një qeveri të pakicës prej 61 ulësesh në Kuvend.


