RajoniTop Lajme

Kryeministri Kurti mori pjesë në Konferencën vjetore “Performanca industriale 2025, planet për mbështetjen e NVM-ve në vitin 2026”

Shpërndaje

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Konferencën vjetore “Performanca industriale 2025, planet për mbështetjen e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme në vitin 2026”, që u organizua nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë Agjencia për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve në Kosovë.

Në fjalën hyrëse, ai fillimisht falënderoi mbi 200 biznese pjesëmarrëse, duke theksuar se për një Kryeministër nuk ka sinjal më të mirë sesa kur salla me ndërmarrës mbushet madje më shpejt se inbox-i me kërkesa për subvencione. Kjo do të thotë se jemi duke lëvizur nga kultura e kërkesës tek kultura e mundësisë.

“Sot, jemi në fund të një viti kur Kosova është konfirmuar si një prej historive më të mira të suksesit në rajon: një vend më i sigurt, më demokratik dhe financiarisht më i qëndrueshëm. Indikatorët ndërkombëtarë tregojnë më pak krim të organizuar, shumë, shumë më pak korrupsion, më shumë sundim të ligjit dhe një demokraci, e cila forcohet nga viti në vit”, tha kryeministri.

Ky stabilitet dhe kjo demokraci, theksoi ai, nuk janë luks politik; janë themeli mbi të cilin ndërtohet zhvillimi ekonomik. “Kur qytetarët ndihen të sigurt natën, kur gjykatat janë më të pavarura, kur administrata është më profesionale, atëherë edhe një investitor nga Zvicra, Gjermania apo diaspora jonë, e sheh Kosovën jo më si rrezik, por si një shans”.

Duke përmendur të arriturat në këto 5 vitet e fundit, ai theksoi se ekonomia e vendit tonë është rritur mesatarisht rreth 6%; Bruto Produkti Vendor ka kaluar për herë të parë pragun prej 10 miliardë eurosh, sivjet është 11 miliardë euro e vitin e ardhshëm bëhet 12 miliardë euro; të hyrat buxhetore kanë tejkaluar për herë të parë 3 miliardë euro, e sivjet do të jenë 3.3 miliardë euro; papunësia është edhe më shumë se e përgjysmuar, mbi 85 mijë vende të reja pune janë të regjistruara, eksportet janë dyfishuar, kurse investimet e huaja direkte janë rritur mbi dyfish krahasuar me qeveritë e kaluara.

“Qeveria mund të krijojë kushte, por, të nderuar pjesëmarrës, të dashur sipërmarrës, këto rezultate i keni prodhuar ju, me punën, me rrezikun dhe me inovacionin tuaj. Ne jemi munduar që të mos ju pengojmë, e jo rrallë edhe t’ju ndihmojmë. Por, ky sukses ju takon para së gjithash dhe mbi të gjitha, juve. Ju e bartni barrën e punësimit dhe jeni faktori kryesor i zhvillimit”, tha ai.

Në këtë konferencë, kryeministri Kurti u zotua se do të vazhdojmë ta përmirësojmë klimën e biznesit me të njëjtin parim: më pak pengesa të panevojshme, më shumë transparencë; më pak privilegje të pamerituara, më shumë konkurrencë të ndershme; më pak retorikë, më shumë rezultate të matshme.

Duke i falënderuar bizneset për bashkëpunimin, për kritikat konstruktive dhe mbi të gjitha për guximin për të investuar dhe për të punësuar në Kosovë, ai i uroi për një fundvit të mbarë, shumë shëndet, dhe më pak burokraci në vitin që vjen, e për këtë të fundit tha se jemi duke punuar veçanërisht shumë.

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ndërkaq tha se performanca e industrisë prodhuese dhe performanca e industrisë shërbyese, duke vënë në theks industrinë kreative në vitin 2025, tregon që këta sektorë po rriten dhe po konsolidohen shpejtë, po modernizohen dhe po orientohen drejt qëndrueshmërisë së vendit tonë.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

E nderuar znj. Rozeta Hajdari, Ministre në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë,
I nderuari z.Zef Dedaj, ushtrues detyre i Drejtorit të Përgjithshëm të KIESA-s,
I nderuari z.Besnik Berisha, Drejtor Menaqxhues i Fondit Kosovar për Garanci Kreditore,
I nderuar z.Agron Llugaliu, Drejtor i Përgjithshëm i Doganave të Kosovës,
I nderuar z.Mentor Hyseni, Drejtor i Përgjithshëm i ATK-së,
Të nderuar përfaqësues të sektorit privat, ndërmarrës, anembanë komunave të Kosovës dhe nga mërgata,
Të nderuar të pranishëm,
Të nderuar përfaqësues e drejtues të institucioneve të ndryshme të shtetit tonë,
Zonja dhe zotërinj,

Së pari, ju falënderoj që e keni mbushur këtë sallë me mbi 200 biznese pjesëmarrëse, e për një Kryeministër nuk ka sinjal më të mirë sesa kur salla me ndërmarrës mbushet përplot dhe madje shumë më shpejt edhe sesa inbox-i me kërkesa për subvencione. Kjo do të thotë se kemi duke lëvizur sigurt nga dukuria e kërkesës, tek kultura e mundësive.

E sot, jemi në fund të një viti kur Kosova është konfirmuar si një prej historive më të mira të suksesit në rajon: një vend më i sigurt, më demokratik dhe financiarisht më i qëndrueshëm. Indikatorët ndërkombëtarë tregojnë më pak krim të organizuar, shumë, shumë më pak korrupsion, më shumë sundim të ligjit dhe një demokraci, e cila forcohet nga viti në vit. Borxhi ynë publik është më i ulëti në Evropë, rreth 16% të Bruto Produktit Vendor, që ka mundësuar që Qeveria e Kosovës të ketë politika sovraniste, pastaj rritja ekonomike mbi 4%, vlerësimi kreditor sovran i konfirmuar BB- nga Fitch Ratings, sektori bankar përgjithësisht i kapitalizuar mirë. Këto nuk janë vetëm numra për raporte, por garanci për juve, investitorë e sipërmarrës, se Kosova është një adresë serioze për investime afatgjate.

Ky stabilitet dhe kjo demokraci nuk janë luks politik; janë themeli mbi të cilin ndërtohet zhvillimi ekonomik. Kur qytetarët ndihen të sigurt natën, kur gjykatat janë më të pavarura, kur administrata është më profesionale, atëherë edhe një investitor nga Zvicra, Gjermania apo diaspora jonë, e sheh Kosovën jo më si rrezik, por si një shans. Dhe ajo që është e rëndësishme ta theksoj: ky progres është për të gjithë qytetarët, shqiptarët dhe komunitetet e tjera, me të drejta të garantuara, buxhete të dedikuara dhe pjesëmarrje politike, që tejkalon çdo standard rajonal.

Në këtë kontekst, roli i sektorit privat është kyç. Në këto 5 vite, ekonomia e vendit tonë është rritur mesatarisht rreth 6%; Bruto Produkti Vendor ka kaluar për herë të parë pragun prej 10 miliardë eurosh, sivjet është 11 miliardë euro e vitin e ardhshëm bëhet 12 miliardë euro; të hyrat buxhetore kanë tejkaluar për herë të parë 3 miliardë euro, e sivjet do të jenë 3.3 miliardë euro; papunësia është edhe më shumë se e përgjysmuar, mbi 85 mijë vende të reja pune janë të regjistruara, eksportet janë dyfishuar, kurse investimet e huaja direkte janë rritur mbi dyfish krahasuar me qeveritë e kaluara. Qeveria mund të krijojë kushte, por, të nderuar pjesëmarrës, të dashur sipërmarrës, këto rezultate i keni prodhuar ju, me punën, me rrezikun dhe me inovacionin tuaj. Ne jemi munduar që të mos ju pengojmë, e jo rrallë edhe t’ju ndihmojmë. Por, ky sukses ju takon para së gjithash dhe mbi të gjitha, juve. Ju e bartni barrën e punësimit dhe jeni faktori kryesor i zhvillimit.

Gjatë qeverisjes sonë e kemi ulur barrën administrative, kemi digjitalizuar shërbimet, kemi reformuar legjislacionin për investime, konkurrencë, tregti, mbrojtje të konsumatorit dhe pronësi industriale, në harmoni, që të gjitha këto, me standardet e Bashkimit Evropian. Kemi mbështetur me dhjetëra miliona euro grante, garanci kreditore dhe programe për eksport mbi një mijë biznese prodhuese e eksportuese, si dhe kemi përkrahur qindra biznese, sidomos të grave dhe të të rinjve.

Një prej risive më të rëndësishme të këtyre viteve, janë pikërisht aktivitetet, që sot veçse janë shndërruar në flamurtarët tanë ekonomikë:

OctoberTech, në fillim të tetorit, e ka vendosur Kosovën fuqishëm në hartën e shërbimeve të mundësuara nga teknologjia – nga outsourcing-i te startup-et e inteligjencës artificiale.
Java e Bujqësisë dhe Ushqimit, edhe kjo në fund të tetorit, që e ka bërë të dukshme për botën se Kosova nuk është vetëm konsumues, por prodhues serioz i ushqimit të shëndetshëm e cilësor, me potencial të madh të eksportit.
Konventa e Prodhimit të Lehtë dhe e Drurit, në javën e tretë të nëntorit, që ka konsoliduar imazhin tonë si vend i prodhimit fleksibël, me dizajn të bukura moderne dhe me fuqi punëtore konkurruese.

Këto tre grupe sektorësh janë kthyer në aktivitete flamurtare, të ashtuquajtura “flagship”, e çdo vit ato po sjellin gjithnjë e më shumë investitorë të huaj, kompani nga rajoni, prej diasporës tonë, por edhe brende që para pak vitesh nuk e dinin as ku është Kosova në hartë. Tash jo vetëm që e dinë, por shpesh ankohen për biletat e aeroplanit, të cilat po iu pengojnë për nga çmimi, shumë më tepër sesa rregullat tona të tregtisë për nga përmasat dhe kjo është shenjë e mirë. Kur transformohen ankesat është sinjal i progresit.

Një tjetër shtyllë themelore e mbështetjes së qeverisë për sektorin privat, është Dialogu Publiko-Privat. Përmes Sekretariatit të Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime, të mbështetur nga partnerët tanë zviceranë dhe BERZH-i, kemi rindërtuar një platformë të besueshme, ku sfidat e biznesit nuk mbeten thjeshtë në sallë, por kthehen në rekomandime konkrete për qeverinë. 34 forume sektoriale, mbi 200 rekomandime të konsoliduara, katër mbledhje plenare të kryesuara nga unë si Kryeministër, kanë çuar në rezultate të prekshme: nga ulja e barrës administrative dhe heqja e licencave të panevojshme, te ndryshimet ligjore për zhvillimin e fuqisë punëtore dhe digjitalizimin e shërbimeve të odave ekonomike. Dialogu nuk është më ceremoni; është instrument pune, mbikëqyrje e vazhdueshme dhe rritje e besimit mes institucioneve të shtetit dhe sektorit privat.

Të gjitha këto masa janë të lidhura me një vizion më të gjerë ekonomik. Gjatë mandatit tonë kemi rritur kapitalin për investime publike në infrastrukturë. Viti kaluar ka shënuar rekordin e investimeve me 654 milionë euro gjithsej, pastaj investimet për energji dhe ujësjellës, kemi përforcuar performancën e ndërmarrjeve publike, të cilat nga 59 milionë euro humbje komulative, kanë kaluar në mbi 195 milionë euro fitim të gjithmbarshëm, kemi rritur shpejtësinë e internetit dhe mbulimin digjital në nivel vendi, që na rendit pranë vendeve më të zhvilluara evropiane, si dhe janë mbështetur mbi 50 mijë biznese të reja të regjistruara, mbi 5 mijë biznese me pronarë të huaj, janë dyfishuar eksportet dhe kemi bërë që qarkullimi i bizneseve të rritet për rreth 80% krahasuar me vitin e parë parapandemik 2019. Nëse dikur thoshim “Kosova ka potencial”, tani mund të themi me bindje e me krenari se “Kosova ka rezultate”.

Ju faleminderit të gjithëve për këtë!

Natyrisht, sfidat mbeten. Asnjë qeveri nuk mund të premtojë që nuk do të ketë më ankesa nga bizneset, sidomos kur kemi kaq shumë inspektime sa kemi bërë ne. Por, ajo që mund të premtojmë është se do të vazhdojmë ta përmirësojmë klimën e biznesit me të njëjtin parim: më pak pengesa të panevojshme, më shumë transparencë; më pak privilegje të pamerituara, më shumë konkurrencë të ndershme; më pak retorikë, më shumë rezultate.

Në vitet në vijim, synimi ynë është ta forcojmë edhe më shumë këtë aleancë me sektorin privat. Për këtë:

po e krijojmë Agjencinë e re për Promovimin e Investimeve dhe të Eksportit, “Kosova Invest”, me kapacitete dukshëm më të mëdha në njerëz dhe buxhet, përfshirë mandatin për të kontraktuar mbështetje të jashtme për identifikimin e investimeve të huaja direkte të qëndrueshme, të orientuara drejt eksportit të shpejtë; dhe
do ta rrisim edhe më shumë rolin e mërgatës dhe të investitorëve strategjikë në sektorët prioritarë, si teknologjia e informacionit, përpunimi ushqimor, prodhimi dhe bujqësia moderne.

Zonja dhe zotërinj,

Kosova sot është më e sigurt, më demokratike dhe ekonomikisht më e fortë se pesë vjet më parë. Por, kapitulli i radhës nuk do të shkruhet në sallat e qeverisë, por në zyrat, fabrikat, punishtet, fushat, kompanitë dhe startup-et tuaja. Ne do të vazhdojmë të krijojmë kornizën, ju do të vazhdoni të krijoni vlerën. Ne do të vijojmë gjithnjë kësisoj, me punë e ndershmëri, me krejt çfarë dimë e mundemi, ashtu që raportet e ardhshme ndërkombëtare nuk do të pyesin më “pse Kosova?”, por “si ia bëri Kosova që ia doli kaq shpejt e kaq mirë?”.

Unë ju falënderoj të gjithë juve, secilën e secilin për bashkëpunimin e rregullt që kemi pasur, për kritikat konstruktive ndaj nesh dhe mbi të gjitha për guximin për të investuar dhe për të punësuar në Kosovën tonë të dashur.

Ju uroj një fundvit të mbarë, shumë shëndet dhe më pak burokraci në vitin që vjen, e për këtë jemi duke punuar veçanërisht shumë.

Faleminderit.