RajoniTop Lajme

Kryeministrit Kurti mer pjesë në ngjarjen e organizuar për nder të 50-vjetorit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës

Shpërndaje

Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës është institucioni më sipëror, ku nuk ka mendim që nuk mund të thuhet, nuk ka hipotezë që nuk mund të ngritet dhe ku nuk ka debat që nuk mund të bëhet. Nëpër këtë akademi kanë kaluar të gjitha mendimet e shtjellimet e shoqërisë kosovare dhe kombit shqiptar, nga kryeveprat e artit shqiptar te idetë e rilindasve për shqiptarizmën, deri te refuzimi estetik dhe rezistenca nëpër burgje, si dhe kryengritja e armatosur për çlirimin e Kosovës, pra për jetësimin e paradigmës së lirisë.
Duke e ruajtur habinë filozofike dhe dyshimin hipotetik, duke e ndjekur kureshtjen, duke e kultivuar hulumtimin, duke e zhvilluar studimin, me shpresë për sa më shumë shkencë dhe dije, bukuri dhe filozofi, le të bashkohemi mes urimeve tona për gjysmëshekullin e dytë të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Fjalimi i plotë sot me rastin e 50-vjetorit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve:

I nderuar Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve së Kosovës, z. Mehmet Kraja,
E nderuara Presidente e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani – Sadriu,
I nderuari President i Republikës së Shqipërisë, z. Bajram Begaj,
I nderuar president Sejdiu,
E nderuara nënkryetare e Federatës së akademive kombëtare të Evropës, znj. Marie Louise Nosch. ASHAK-u është bërë anëtare në këtë Federatë para se Kosova ta shpall pavarësinë dhe për këtë jemi përjetë mirënjohës,
I nderuar Kryetar i Akademisë së Shkencave së Shqipërisë, z. Skender Gjinushi,
Të nderuar anëtarë të kësaj akademie,
Të nderuar miq ndërkombëtarë, drejtues e përfaqësues të akademive me të cilat bashkëpunojmë e që jeni mysafire sot,
Të nderuar udhëheqës e përfaqësues të institucioneve tona të ndryshme shtetërore,
Zonja dhe zotërinj,

Në historinë moderne të shqiptarëve, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, ndër mungesat më të mëdha, prej të cilave shoqëritë tona dhe kombi ynë ende nuk ka arritur të rikuperohet, është pikërisht mospërfshirja në debatet e mëdha të Modernitetit. Kjo pasi veçmas në shek. XIX, kur kontinenti ynë, Evropa, u përshkua nga revolucioni industrial dhe shkencor, fati ynë politik ishte i atillë që na mbajti larg këtyre lëvizjeve epokale.

Megjithëkëtë, që nga Helena Peshkopia e cila më 25 qershor të vitit 1678 e mbrojti tezën e saj doktorale, duke u bërë femra e parë në botë me doktoratë në filozofi dhe deri te eruditi Sami Frashëri që në shek. XIX e botoi enciklopedinë e dytë në botë, mes shqiptarëve ka patur gjithmonë njerëz ishullorë, por edhe qarqe që kanë prodhuar dhe qarkulluar dije mes tyre dhe me të tjerët.

Kjo mund të kuptohet kur të shihni që Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe biblioteka të tjera publike dhe private nëpër Kosovë, janë të mbushura me koleksione arkivore dorëshkrimesh dhe veprash të ndryshme që nga Mesjeta e këtej, të vjelura gjithandej vendit tonë. Ato janë shkruar nga autorë që shpeshherë, ndër shekuj, kanë ngelur anonim mes nesh. Mesihi nga Prishtina, poeti i shquar që dikur shoqëroi Mikelanxhelon në Stamboll, na ka lënë edhe një vepër të kulluar poetike, ashtu sikurse Pjetër Bogdani, me letrat, relacionet dhe veprat e tij, na ka lënë një çetë zërash profetikë për kohën dhe gjendjen shqiptare në shek. XVII. Lista e tyre është e gjatë dhe shumësia e veprave të shkruara nga ta e panumërt, ashtu sikurse edhe vëllimi i tyre i pallogaritshëm, për kohën e kufizuar të këtij fjalimi tim të shkurtër me këtë rast.

E nderuar Akademi, të nderuar akademikë,

Do të doja që në këtë përvjetor jubilar, bashkë me urimet e mia më të përzemërta për 50-vjetorin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, në dekadën e tretë të lirisë së Kosovës dhe në dekadën e dytë të Republikës sonë, duke u nisur nga pozicioni im si Kryeministër në detyrë i Republikës së Kosovës, teksa flas nga kjo katedër para jush, më lejoni të kujtoj një debat të vjetër dhe kurrë të mbarimtë, atë mes politikës dhe shkencës.

Që nga themeluesi i akademisë, Platonit, dhe nxënësi i tij më i shquar i shkencës, Aristoteli, njëri autor i “Republikës” dhe tjetri autor i “Politikës”, akademia dhe politika, kanë udhëtuar së bashku. Shkenca dhe artet dhe pushteti me shtetin, përdridhen mes tyre mes forumesh dhe fushëbetejash, sepse dija shkencore dhe arti, duke qenë në imanencë publike, janë gjithmonë politike.

Publikja është sfera, ku shkenca dhe artet nxjerren në pah duke u publikuar dhe ku nga marrëdhëniet ndërnjerëzore me dijen, me jetën, me natyrën dhe me shoqërinë, njerëzit krijojnë dhe formësojnë botë të reja në vazhdimësi. Duke qenë i kushtëzuar në jetë me të tjerët si vetja, njeriu është qenie politike, një qenie, e cila me habinë e tij ndaj botës dhe me angazhimin e tij për të njohur veten dhe gjithçka rrotull tij, kthehet në kushtin e vetë realitetit. E në vitet e 70-ta të shekullit të kaluar, pikërisht në kohën e themelimit të AShAK-ut te ne, strukturalistët dhe poststrukturalistët mandej, sidomos ata francezë, po e trajtonin raportin mes dijes shkencore dhe narracioneve për të vërtetën, mes mendimit filozofik dhe pushtetit politik, si dhe mes artit dhe autoritetit.

Andaj, edhe sot mbeten aq aktuale tre pyetjet themeltare të filozofit idealist gjerman, Imanuel Kantit: Ç’mund të di?; Ç’duhet të bëj?; dhe Ç’mund të shpresoj? Në historinë gjysmëshekullore të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, mund të lexohen mijëra përgjigje të këtyre pyetjeve, ngase në historinë e ASHAK-ut është e shkruar edhe historia e shkencës dhe arteve në Kosovë, e mendimit dhe e veprimit, etik, estetik dhe politik. Sepse, nga anëtarët e dikurshëm dhe të tanishëm të kësaj akademie, janë krijuar dhe botuar qindra vepra dhe mijëra punime shkencore, filozofike dhe artistike, që kanë marrë dhe kanë dhënë, nga ky vend dhe nga e gjithë bota, me njerëzit e kësaj shoqërie dhe drejt tyre e popujve të tjerë.

Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës është institucioni më sipëror, ku nuk ka mendim që nuk mund të thuhet, nuk ka hipotezë që nuk mund të ngritet dhe ku nuk ka debat që nuk mund të bëhet. Nëpër këtë akademi kanë kaluar të gjitha mendimet e shtjellimet e shoqërisë kosovare dhe kombit shqiptar, nga kryeveprat e artit shqiptar te idetë e rilindasve për shqiptarizmën, deri te refuzimi estetik dhe rezistenca nëpër burgje, si dhe kryengritja e armatosur për çlirimin e Kosovës, pra për jetësimin e paradigmës së lirisë.

Periudha e pandemisë nga virusi Corona, Covid-19, na ka shpërfaqur si rrallëherë në histori, se sa e rëndësishme është për një shoqëri të ketë shkencëtarë dhe profesionistë nga të gjitha fushat, shkathtësitë dhe dijet, shkencore dhe artistike. Sepse, kur popujt bien në krizë, ata e kanë syrin dhe veshin kah akademitë e tyre e shtëpia e të gjithë njerëzve dhe e të gjithë popujve, është pikërisht shteti, i cili matet me akademinë e vet, me dijet aty dhe janë e mbeten pikërisht akademitë, universitetet dhe institutet shkencore, nga të cilët varemi shumë më tepër se ç’pandehim. E në kohën tonë kur kanë marrë hov luftërat hibride, inteligjenca artificiale dhe tensionet gjeopolitike, e ku demokracia perëndimore dhe të drejtat e njeriut janë të sulmuara si asnjëherë më parë, akademitë duhet të jenë të zëna si rrallëherë më parë.

Andaj, mbështetja për progresin tuaj, të nderuar akademikë, është më shumë se një mundësi e jona si politikanë e zyrtarë shteti, është përgjegjësi institucionale, që ndërthuret me obligimin, gjithnjë, tashmë historik.

Duke e ruajtur habinë filozofike dhe dyshimin hipotetik, duke e ndjekur kureshtjen, duke e kultivuar hulumtimin, duke e zhvilluar studimin, me shpresë për sa më shumë shkencë dhe dije, bukuri dhe filozofi, le të bashkohemi mes urimeve tona për gjysmëshekullin e dytë të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Gëzuar të gjithëve dhe ju faleminderit për vëmendje!