RajoniTop Lajme

Kurti: Mbi 12 milionë euro për transformimin e tërësishëm të Stadiumit të Prizrenit

Shpërndaje

Mbi 12 milionë euro për transformimin e tërësishëm të Stadiumit të Prizrenit. Kontrata është nënshkruar. Punët përgatitore kanë nisur. Tribunave në lindje dhe perëndim të “Përparim Thaçit” do t’i shtohen edhe ato në veri e jug. Ai do të jetë një nga arenat sportive më moderne në vend, dhe vendi ku tifozët besnik dhe sportdashësit e shumtë do mund të mbështesin klubin e tyre të qytetit, KF Lirinë, nga gati 7800 ulëse. Po investojmë mbi 200 milionë euro në stadiume të futbollit gjithandej Republikës. Kosova do ta ketë infrastrukturën më të mirë sportive në rajon.

Afër 750 mijë euro për fushat e tenisit në Prizren, të cilat do të jenë të gatshme verën e vitit të ardhshëm. Fushat do të jenë të mbuluara, për zhvillim të aktivitetit sportiv gjatë tërë vitit, dhe moderne, për të mirëpritur edhe ndeshje ndërkombëtare. Me investimet që po bëjmë në infrastrukturën sportive, Prizrenin e trashëgimisë kulturore po e kthejmë edhe në qendër të sportit si kulturë.

2.5 milionë euro për Qendrën Kulturore në Rahovec dhe gati 1 milion për Qendrën Kulturore Turke në Mamushë. Sot e pamë nga afër progresin e deritanishëm të punimeve, e vitin e ardhshëm presim që t’i përurojmë të dyja. Këto projekte shumë të rëndësishme për jetën kulturore të komunave tona janë fryte të bashkëpunimit të qeverisë sonë me komunën e Rahovecit dhe të Mamushës, që do t’i gëzojnë qytetarët e Republikës.

Afër 1 milion euro investim për Qendrën Multifunksionale në Sharr. Bashkë me ministrin Çeku vizituam punimet që kanë nisur në fund të muajit tetor dhe që pritet të përfundojnë brenda dy vitesh. Projekti është hartuar nga komuna, financimin po e bën qeveria. Punime të mbara dhe të shpejta, që banorët e Sharrit ta gëzojnë sa më parë këtë qendër që i ka munguar aq shumë.

11 milionë euro për ndërtimin e Stadiumit të ri të Suharekës. KF “Ballkani”, që na ka përfaqësuar denjësisht e me sukses në arenën ndërkombëtare, do të ketë stadiumin që e meriton, kurse tifozët nga gjithë rajoni do t’i kenë mbi 6500 ulëse nga ku do ta mbështesin ekipin e zemrës e të shijojnë lojën e futbollit. Ndërkohë që punimet në stadiumin e ri po vazhdojnë, fushat ndihmëse të stadiumit tashmë janë gati. Modernizimi i infrastrukturës së sportit është prioritet i qeverisjes sonë që vazhdon.