RajoniTop Lajme

Kurti mirëpret heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës: Masat ishin të padrejta dhe orkestruar nga Serbia

Shpërndaje

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka mirëpritur vendimin e Bashkimit Evropian për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, duke theksuar se Qeveria ka qëndruar që nga fillimi në bindjen se këto masa ishin të padrejta.

Në një reagim në rrjetin social X, Kurti ka shkruar se masat e BE-së e ndëshkuan Kosovën për përçarje që, sipas tij, ishin të orkestruara nga Serbia.

Ai ka përmendur edhe sulmet terroriste që kanë ndodhur gjatë kësaj periudhe, përfshirë sulmin fatal në Banjskë dhe një tjetër në Ibër-Lepenc që kishte si synim infrastrukturën kritike.

“E mirëpresim vendimin e BE-së për të hequr masat e vendosura ndaj Kosovës. Qeveria jonë ka pohuar vazhdimisht se këto masa ishin të padrejta që nga fillimi, pasi ato sanksionuan Kosovën për përçarjet e orkestruara nga Serbia – një axhendë që çoi gjithashtu në sulme të shumta të mëdha terroriste në territorin tonë,” ka shkruar Kurti.

Kryeministri në detyrë ka shtuar se pavarësisht sfidave, institucionet e Kosovës kanë ruajtur përkushtimin e plotë ndaj Bashkimit Evropian dhe përmbushjes së kritereve për anëtarësim.

“Gjatë gjithë kësaj periudhe, ne kemi mbetur plotësisht të përkushtuar ndaj Bashkimit Evropian, për përmbushjen e kritereve për anëtarësim dhe për të vazhduar si aleatë të përkushtuar dhe kampionë të vlerave demokratike,” ka theksuar Kurti.