Kuvendi pranon propozimin për shkarkimin e kryeprokurorit Kocevski, vijon procedura për pasardhësin
Në Kuvend ka arritur propozimi i Qeverisë për shkarkimin e kryeprokurorit Lupço Kocevski. Nga shtëpia legjislative theksojnë se për procedurat e mëtutjeshme do të informojnë plotësisht. Procedura për shkarkimin e Kocevskit do të vazhdojë prej aty ku ka mbetur në shkurt të këtij viti, meqë për shkak tragjedisë së Koçanit u pezullua shkarkimi.
Bashkë me propozimin, Qeveria e ka dorëzuar edhe mendimin e Këshillit të Prokurorëve, i cili në prill të këtij viti edhe pse u pezullua shkarkimi dha mendim për iniciativën. Këshilli, asokohe nuk mbështeti iniciativën për shkarkim. Megjithatë, pavarësisht këtij mendimi, Kocevski mund të shkarkohet me shumicë votash në Kuvend.
Kocevski, në detyrën e kryeprokurorit u emërua më 13 shkurt të vitit 2024 nga shumica parlamentare LSDM-BDI.
Sipas Qeverisë, Kocevski duhet të shkarkohet nga detyra për shkak të qasjes joprofesionale dhe rrënimin e integritetit, reputacionit dhe funksionalitetit të Prokurorisë. Megjithatë, Kocevski, të gjitha këto pretendime i hedh poshtë, duke theksuar se shkarkimi i tij është i motivuar politikisht.
Pas shkarkimit eventual, sipas Ligjit për Prokurori Publike duhet të fillojnë procedura për emërimin e prokurorit të ri.
Fillimisht, Kuvendi shpall konkurs për prokuror të shtetit, ndërsa afati për dorëzimin e kandidaturave është 15 ditë. Pastaj, për emrat e kandidatëve që i plotësojnë kushtet për prokuror, Këshilli i Prokurorëve duhet të japë mendim në afat prej 15 ose 30 ditësh.
Pas kësaj, Qeveria dorëzon në Kuvend dorëzon emrin e njërit prej kandidatëve së bashku me mendimin e Këshillit të Prokurorëve.
Ndërsa Kuvendi me shumicë votash e miraton propozimin, respektivisht e zgjedh kryeprokurorin e ri.

