Limani: Meritokracia është prova e vetme e besimit qytetar për koalicionin VLEN
Nëse vërtet synojmë që koalicioni VLEN ta ruajë dhe ta forcojë besimin e qytetarëve, duhet të jemi të sinqertë para vetes dhe para publikut së besimi nuk fitohet me emra, poste apo pazare politike, por me punë, përgjegjësi dhe respekt real për kontributin e secilit individ.
Shoqëria jonë është e lodhur nga përjashtimi, nga përzgjedhjet selektive dhe nga një kulturë politike që shpërblen afërsinë e jo vlerën. Të rinjtë, familjet dhe qytetarët në përgjithësi që na kanë votuar presin një model tjetër qeverisjeje një model ku meritokracia nuk mbetet slogan elektoral, por shndërrohet në praktikë të përditshme institucionale.
Nëse duam ndryshim të vërtetë, nuk mjaftojnë thirrjet morale. Ndryshimi kërkon sistem, rregulla dhe standarde të qarta. Prandaj, angazhimi ynë mbështetet mbi tri shtylla themelore:
Transparenca radikale në çdo proces punësimi dhe avancimi duhet të jetë i hapur për sytë e publikut. Meritokracia fillon aty ku rezultati, kualifikimi dhe përgatitja profesionale flasin më fort se lidhjet partiake.
Llogaridhënia përmes performancës për secilin, posti nuk është privilegj i përjetshëm, por përgjegjësi e matshme. Kush merr besimin për të udhëhequr, duhet të vlerësohet mbi bazën e rezultateve konkrete për qytetarët.
Hapja ndaj ekselencës, institucionet duhet të jenë shtëpia e trurit dhe e talentit. Të rinjtë tanë më të mirë, pavarësisht prapavijës, duhet të kenë vendin që u takon në vendimmarrje.
Si Ministër i Rinisë, Demografisë dhe Politikës Sociale, çdo ditë shoh pasojat e drejtpërdrejta të mungesës së drejtësisë. Kur një i ri nuk sheh perspektivë, ai largohet. Kur një familje nuk sheh stabilitet dhe siguri për të ardhmen, ajo humb besimin. Prandaj politikat tona po ndërtohen mbi vlera familjare, përgjegjësi morale dhe drejtësi shoqërore.
VLEN ka lindur si shpresë për ndryshim. Por shpresa nuk mjafton nëse nuk shoqërohet me sjellje të re politike dhe standarde të reja etike. Askush nuk duhet të vlerësohet për atë që njeh apo për interesat që përfaqëson përkohësisht, por për atë që punon dhe kontribuon realisht në seilën lagje, në secilën komunë. Të vletsojmë ata që na sollën fitoren, nënat dhe motrat tona, rininë tonë të mrekullushmë të ndalim në vend.
Lufta me bërryla, mospërfillja e aktorëve që sollën bashkimin dhe ndërtuan këtë forcë të përbashkët që sot quhet VLEN, si dhe hapja e dyerve për figura të dyshimta që deri dje e luftonin këtë koalicion, do të ishte fatale për të gjithë ne duke zgjenyre secilin votues që besoj në sloganin “ Jemi një zë”
Nëse veprohet mbi logjikën “mbledh çfarë të bie përpara” vetëm sepse dikush të përkëdhel përkohësisht, atëherë ekziston rreziku real që në ditën e emërimit të liderit të fillojë edhe shkatërrimi i VLEN-it.
Sepse mbi të gjitha, edhe politika duhet të zhvillohet me moral.
Thirrje për reflektim dhe përgjegjësi
Thirrja ime është e qartë dhe e drejtpërdrejtë:
• Të respektojmë kontributin e çdo individi;
• Të vendosim përgjegjësinë mbi privilegjin;
• Të mbrojmë vlerat familjare si themel të shoqërisë;
• Të ndërtojmë institucione ku puna flet më fort se fjalët.
Nëse VLEN dëshiron të jetë një alternativë reale dhe e besueshme, duhet të jetë shembull i meritokracisë, ndershmërisë dhe respektit njerëzor. Vetëm kështu qytetarët do të na besojnë jo vetëm sot, por edhe nesër.
Sepse politika që nuk bazohet në vlera, nuk ka të ardhme. Sot është dita që secili prej nesh të reflektojë për të mirën tonë të përbashkët, nesër do të jetë vonë!
Fatmir Limani
Ministër i Rinisë, Demografisë dhe Politikës Sociale

