MaqedoniTop Lajme

Limani: Protesta, legjitimiteti dhe përgjegjësia politike

Shpërndaje

PROTESTA, LEGJITIMITETI HISTORIK DHE PËRGJEGJËSIA POLITIKE
Nuk ka shqiptar, pavarësisht kampit politik, që ka dyshime mbi legjitimitetin e luftës për çlirim dhe liri të Kosovës.
Ky legjitimitet u dëshmua nga koalicioni i UÇK-së me Perëndimin, asokohe, i vijuar me themelimin e shtetit të Kosovës, i përforcuar sot me dëshminë e figurave të NATO-s.., etj, etj, në procesin e Hagës. E flamuri kombëtar që do valëvitet në atë protestë të ligjshme, nuk përjashton askënd të etnisë shqiptare dhe as do të jetë kërcënim për etninë tjetër me të cilën bashkëjetojmë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Me këtë kusht të bashkëjetesës në barazi mes dy etnive kryesore u legjitimua Marrëveshja e Ohërit nënshkruar mes dy palëve pas një lufte të zhvilluar në këtë vend.
Një protestë paqësore e fuqizon flamurin, idenë e një kombi që bashkëjeton në dinjitet me të ndryshmin, pa nxitur luftë. Protesta pra ka vlera, megjithë dyshimet për vonesën e një proteste të tillë, apo sesa ndihmon kauzën e atyre që gjinden në Hagë.
Nuk duhet të na dekurajojë as përpjekja e dikujt për ta privatizuar protestën për halle aktuale politike.
Mirëpo, ata që kanë patur dhe kanë përgjegjësi të madhe dje dhe sot, që duan të mbajnë përgjegjësi të madhe edhe nesër, duhet të kuptojnë diçka. Me të njëjtat metoda, me të njëjtën fushatë, prodhojnë të njëjtat rezultate, pra hiç përparim. Krijojnë ujra të turbullta për të peshkuar vota, por nuk i shërbejnë qytetarit. I hyjnë në hak rinisë, që nuk ja ka borxh prapambetjen.
Ky shtet i përbashkët që e forcuam dhe e bëmë më të drejtë me nënshkrimin e Marrëveshjen së Ohrit në 2001, ka nevojë për më shumë dialog, për më pak patronizim etnik, për më shumë heronj të paqes. Ka nevojë për zhvillim ekonomik, për arsim cilësor për të gjithë, që të ndalet plaga e emigrimit që prek rininë tonë, posaçërisht atë të etnisë shqiptare.
Ideatorët e fushatës me sezone që flet për revansh ndaj shqiptarëve në dëm të përfaqësimit të tyre në administratë publike, për shtim të diskriminimit etnik.., etj, etj, sigurisht nuk kanë ndërmend të na propozojnë luftën sërish për të bërë drejtësi.
Ndaj me tëtë rast shtrojmë pyetjet: çfarë është bërë nga 2001 e këtej, për të instaluar dialogun me etninë tjetër, me përfaqësuesit politikë të saj, që arritjet kushtetuese në favor të barazisë të jenë pakthim ?
F. B. L.