MaqedoniTop Lajme

Mickoski: Akuzat e LSDM-së për kriminalitet të Qeverisë janë shpifje e pastër, do të dëshmohet se gjithçka është e pastër

Shpërndaje

Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, në intervistë për “360 gradë” në RTM, i komentoi edhe akuzat e fundit të LSDM-së për tenderë të kurdisur, për të cilat tha se bëhet fjalë për shpifje për të cilat, si shumë herë në të kaluarën, LSDM do të duhet të kërkojë falje dhe do të humbasë akoma më shumë substance nga kredibiliteti i saj.

“Nëse ekziston çfarëdolloj dyshimi për kriminalitet, LSDM mund që menjëherë, përmes instalacioneve të saj në Prokurori të dorëzojë prova dhe instalacionet e saj në Prokurori, të cilat ende funksionojnë, lirshëm mund të hapin hetim dhe për gjithçka që nevojitet ne si Qeveri jemi në dispozicion. Ndërkohë, në konferencën e tyre për shtyp ata paraqitën disa shpifje të rënda. Na quajtën kriminelë dhe tani duhet ta dëshmojnë këtë, e nëse nuk e dëshmojnë, do të duhet të kërkojnë falje dhe të humbasin akoma më shumë nga substanca e kredibilitetit të tyre. Së dyti, shpifën edhe ndaj një personi duke thënë se drejtuesi i asaj kompanie qënka i afërm i tij, kushëri e kështu me radhë, që është absolutisht e pavërtetë. Dimçe Arsovski reagoi përmes rrjeteve sociale dhe tani ata duhet ta dëshmojnë atë që pretendojnë, supozoj përmes një procesi gjyqësor”, theksoi Mickoski.

Ai shtoi gjithashtu se në të kaluarën LSDM ka shpifur edhe për të personalisht shumë herë dhe për këto shpifje ekzistojnë vendime gjyqësore në të cilat janë konstatuar si të tilla, por edhe sot e kësaj dite LSDM nuk ka kërkuar falje.

“LSDM-ja ka shpifur shumë herë në të kaluarën. Për mua personalisht shumë herë ka shpifur, që nga koha kur isha në opozitë dhe ka disa vendime gjyqësore në të cilat ato shpifje dhe të pavërteta janë konstatuar si të tilla, por për fat të keq edhe sot e kësaj dite LSDM nuk ka kërkuar falje. Supozoj se edhe në këto procese gjyqësore do të arrijmë deri te një vendim gjyqësor dhe atëherë ose ne do të duhet të turpërohemi, nëse vërtet jemi kriminelë dhe sipas pretendimeve të tyre kemi kurdisur tenderë dhe atëherë, logjikisht, duhet të mbajmë përgjegjësi dhe këtu nuk ka dilemë, ose, në rastin e dytë, ata do të duhet të kërkojnë falje”, shtoi Mickoski.

Ai theksoi se nuk interesohet për prokurimet publike nga aspekti siç bëhej në të kaluarën, kur vëllezërit e kryeministrave ishin biznesmenë dhe kur bashkëshorteve me vendime të Qeverisë u jepej tokë për ndërtimin e fotovoltaikëve, por pas akuzave të paraqitura në konferencën për shtyp është interesuar dhe është siguaruar se gjithçka është në përputhje me ligjin dhe dokumentacionin tenderues.

“Natyrisht që pas konferencës për shtyp të LSDM-së u interesova, u informova dhe absolutisht u sigurova se gjithçka është sipas ligjit dhe sipas dokumentacionit tenderues dhe se ajo marrëveshje kornizë për të cilën ju flisni është nga zero deri në atë shumë maksimale të cilën ju e përmendni tani. Do të thotë, mund të jetë edhe zero denarë, por mund të jetë edhe shuma që ju e përmendni. Prandaj, absolutisht unë nuk shoh asnjë paligjshmëri në kuadër të atij prokurimi. Ka pasur shumë raste kur edhe kompani pa të punësuar kanë fituar procedura tenderuese, etj. nëse ato kanë qenë sipas ligjit atëherë ne nuk mund të bëjmë asgjë këtu. Por, pasi ju thatë ta ndezim dritën e kuqe, unë e ftoj Prokurorinë që sot të vijë, ta hapë proces dhe ta hetojë rastin. Nëse ka çfarëdolloj sjelljeje të paligjshme, menjëherë të nisë procedurë”, theksoi Mickoski.