Në Prizren u prezantuan kandidatët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për deputetë
Sot, në sallën e sportit “Sezai Surroi”, u bë prezantimi i listës që synon vazhdimin e një qeverisjeje që zhvillon ekonominë dhe garanton siguri për të gjithë qytetarët e Republikës. Përvoja profesionale, vetëdija kombëtare dhe energjia e aktivizmit rinor e bëjnë këtë listë zgjedhjen më të duhur për vazhdimin e punës së mirë të qeverisjes sonë, në krye me Kryeministrin Albin Kurti. Prandaj, përkrahja e secilit qytetar për listën tonë është e një rëndësie të veçantë për të vazhduar begatinë socio-ekonomike dhe forcimin e sovranitetit, sepse kjo listë përbëhet nga kandidatë që kanë dëshmuar se nuk lëshojnë pe në parimet dhe politikat e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për një shtet me sovranitet të plotë, mirëqenie ekonomike, shërbime cilësore dhe barazi sociale.
Kryeministri Albin Kurti e hapi fjalimin duke theksuar se qytetarët e Kosovës, pa dallim moshe apo gjinie, me zërin, punën dhe kërkesat e tyre, janë arsyeja themelore pse ekziston qeverisja jonë.
Kryeministri Kurti vijoi fjalimin duke kujtuar unitetin dhe përkushtimin ndaj interesit publik. “E ardhmja e vendit tonë nuk është e ndarë, së bashku e bëjmë të qartë. Qytetari mbi gjithçka, angazhimi politik e publik mbi çdo interes të ngushtë apo të fshehtë. Dhe kjo listë e jona e përbashkët flet me dije: 13 doktorë shkencash, 7 specialistë mjekësorë, 61 magjistra dhe profesionistë të formuar për t’i shërbyer shtetit, jo për ta shfrytëzuar atë.”
“Në këtë listë janë ata që e mbrojtën Kosovën me armë dhe ata që sot e mbrojnë me ligj, dije dhe punë. Pesëmbëdhjetë veterane dhe veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë në listën tonë. Sepse lufta çlirimtare nuk është vetëm histori kombëtare, ajo është ndërgjegje që vazhdon të marrë përgjegjësi. Këta kandidatë e kanë njohur lirinë si sakrificë, jo si privilegj.”
“Në këtë listë, plot 37 kandidatë janë për herë të parë, dëshmi se politika jonë nuk mbyllet në rreth, por hapet çdo ditë, çdo herë, në horizonte plotësisht të reja. Një listë me ekonomi, drejtësi, diplomaci, art e kulturë dhe shkencë. Sepse për shtet duhen të gjitha dijet, përvojat dhe talentet. Edhe studentët janë në këtë listë, sepse e ardhmja nuk pret të diplomohet për ta marrë fjalën.”
Lista e prezantuar tregoi përkushtimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për një përfaqësim të përgjegjshëm dhe gjithëpërfshirës, ku çdo qytetar ka zërin e vet dhe çdo talent kontribuon për të ndërtuar një Kosovë të drejtë, të barabartë dhe me të ardhme të ndritur.
110 kandidatët e listës fituese për Kosovën me siguri dhe begati

