Rama: Pagesat për fermerët mbyllen 100% brenda dhjetorit
Buxheti i vitit të ardhshëm për bujqësinë konsiderohet si më i madhi i dhënë ndonjëherë për këtë sektor. 16.3 miliardë lekë për bujqësinë, blegtorinë, peshkimin, agropërpunimin dhe agroturizmin, ishin një arsye për kryeministrin që ta ndante këtë lajm dhe të diskutonte me afro 1 mijë e 500 fermerë nga i gjithë vendi, por që u mblodhën në Elbasan, për të dëgjuar për mundësinë që ofrojnë këto para për fermerët dhe sipërmarrjet rurale.
“Vetëm në skemën kombëtare të shkojmë me një buxhet i cili është gati dyfishi i vitit që po përfundon.”
Lajmi i parë që u dha ishte për pagesat direkte për fermerët.
Përsa i përket skemës direkte, të gjitha pagesat do të mbyllen brenda këtij viti 100%.
Foli me shifra për përmbylljen e raporteve eksporte–importe gjatë 12 viteve të qeverisjes së tij.
“Raportin e eksporteve me importet, të cilin e kemi gjetur 1 eksport, 7 import, dhe sot jemi në 1 me 3, duke vazhduar të shkojmë drejt tendencës ulëse dhe të treshit. Synimi ynë është që të arrijmë objektivin e një eksport–dy import, kur vjen puna tek prodhimi bujqësor.“
Por në 4 vitet e ardhshme kryeministri kërkon një partneritet të ri jo vetëm me qeverinë, por dhe me pushtetin lokal.
“Këto vite të jenë vitet e krijimit të ndërmarrjeve të përbashkëta mes pushtetit vendor dhe fermerëve, të ndërmarrjeve që përpunojnë dhe të ndërmarrjeve që sjellin më shumë të ardhura për ju, jo për ne, jo për qeverinë e as për bashkinë. Kapitali fillestar i një ndërmarrjeje të tillë duhet të jetë fare modest, diçka e vogël e vënë nga ju, diçka e vogël e vënë nga bashkia dhe gjithë pjesën tjetër e mbulojnë këto instrumente, gjë që bën që ju të punoni dhe të mendoni vetëm për t’u zhvilluar, jo të mendoni se si të arrini të paguani kredinë pa u detyruar nesër të shisni shtëpinë.”
Kreu i qeverisë rreshton instrumentat e tjerë të vendosur në dispozicion të bujqësisë.
“Është Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, është linja e re e financimit të Bankës së Shqipërisë. Është AgroKrediti, do të shtohet dhe Banka Shqiptare e Zhvillimit.”
Sipas Ramës, ndryshe nga sa e gjetën kur erdhën në pushtet, tani bujqësia nuk funksionon me lëmosha elektorale, por gjithsesi sfidat pranon se janë shumë të mëdha përballë anëtarësimit në BE, që sjell po ashtu dhe shumë perspektiva po kaq të mëdha për fermerët.

