Shpërblim për militantët, ndëshkim për mjekët: ASH denoncon skandal në shëndetësi
Aleanca për Shqiptarët – Dega Tetovë ka reaguar ashpër duke shprehur indinjatë të thellë ndaj, siç e cilëson, trajtimit çnjerëzor, të padrejtë dhe thellësisht të politizuar të personelit mjekësor në Spitalin Teknik në Tetovë, të cilëve u kanë përfunduar kontratat e punës pa marrë asnjë vendim, pavarësisht premtimeve publike të dhëna para zgjedhjeve.
Sipas reagimit, bëhet fjalë për punonjës shëndetësorë me përvojë nga 2 deri në 10 vjet, të cilët kanë shërbyer edhe pa pagesë dhe kanë qenë shtylla kryesore e funksionimit të sistemit shëndetësor gjatë pandemisë. Sot, ata po përjashtohen nga vendet e punës, ndërsa pozicionet u jepen të sapopunësuarve, militantëve partiakë dhe personave të afërt me VLEN-in dhe VMRO-në.
“Kjo është tradhti morale, mashtrim politik dhe skandal shtetëror”, thuhet në reagim.

