Sindikata e UNT-së firmos marrëveshjen kolektive me Kuvendin e RMV-së
Sot, në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, kryetari i Sindikatës së Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Prof. Inor. Dr. Avni Avdiu, u mirëprit nga kryetari i Kuvendit të RMV-së, z. Afrim Gashi, ku u nënshkrua Marrëveshja Kolektive e Sindikatave Universitare.
Marrëveshja Kolektive avancon dhe garanton të drejtat, përfitimet dhe privilegjet e të punësuarve të universiteteve publike, në kompetencë të themeluesit të tyre, Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Kjo marrëveshje pasoi pas nënshkrimit të marrëveshjes së parë me Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”, ku sindikatat e pesë universiteteve publike u bashkuan në Unionin e Sindikatave të Universiteteve Publike dhe me këmbëngulje kërkuan nënshkrimin e marrëveshjes së njëjtë edhe për universitetet e tyre.
Sot, Marrëveshjen Kolektive me kryetarin e Kuvendit e nënshkruan edhe katër universitetet e tjera publike: Universiteti i Tetovës, i Ohrit, i Shtipit dhe ai nga Manastiri.
Kjo përbën një arritje të rëndësishme të sindikatave dhe Unionit të tyre, të realizuar në një afat të shkurtër kohor dhe me një angazhim të vazhdueshëm institucional.

