Stadiumi i Tetovës gati për një vit e gjysmë! Omeragiç, Duka, Destani e Kasami shkuan për t’i parë punimet
Erdhën për të parë punimet në stadiumin e Tetovës. Kryetari i komunës Bilall Kasami priti Lazim Destanin pronarin e kompanisë Ecolog dhe kryetarin e FFM-së Masar Omeragiq, tre faktorët që po punojnë për ndërtimin e folesë së KF Shkëndija.
Në shenjë nderimi aty erdhi edhe kryetari i FSHF-së Armand Duka, ndërsa këtij takimi më vonë iu bashkëngjit edhe kryetari i FFK-së Agim Ademi.
Omeragiç tha se për 1 vit e gjysmë stadiumi do të jetë gati.
“Për momentin Shkëndija është kampion i vendit dhe e përfaqëson Maqedoninë në Evropë. FFM vendosi të përfshihet në këtë projekt dhe në domenin e montazhit, ulëseve dhe mbulimin e tribunave në faza, këtu FFM do të përfshihet përmes fondeve adekuate që janë të FIFA-s dhe UEFA-s. E shoh se projekti po shkon me ritëm të shpejtë dhe shpresojmë se për 1 vit e gjysmë ky stadium do të jetë gati. Më pas këtu të mund të luajnë ekipet nga Tetova si Shkëndija dhe Teteksi dhe normalisht ta sjellim këtu edhe përfaqësuesen e Maqedonisë në futboll”, tha Masar Omeragiç – kryetar i FFM.
Edhe kryetari i komunës, Bilall Kasami, pret që punimet të kryhen brenda afatit.
“Në besoj fuqishëm se brenda afateve të kontratës ky stadium do të përfundojë dhe jo vetëm Shkëndija por në Tetovë do të sjellim ekipe të mëdha, reprezentacione të shteteve me çka Tetovën do të rikthejmë në një qendër te futbollit”, thekosi Bilall Kasami – kryetar i Tetovës.
“Pika e parë kë qenë, kur ishte bisedë në fillim se a do të ndërtohet, apo do të rinovohet. Unë e preva. Thash nëse e bëjmë e bëjmë të ri prej në zero, që të bëhet një stadium që i ka hije dhe e dyta është që ta shpejtojnë pak punën. Do t’ju rri afër që sa më shpejt të punohet që edhe para afatit të luhet në stadiumin e ri”, pohoi Lazim Destani – Ekolog .
“Unë kam qenë disa herë në këtë stadium kam ndjekur ndeshje që vërtetë ka qenë një stadium në një gjendje shumë të keqe, pothuajse të mjerueshme dhe tani është një projekt i bukur, që besoj dhe jam oi bindur se do të shkoj përpara me bashkëpunimin shumë të mirë të tre faktorëve, kryetarit të bashkisë, kompanisë Ekolog dhe mbështetjen e FFM-së”, shtoi Armand DUKA – kryetar i FSHF.
Duka nuk kishte ardhur “duarbosh” nga Tirana. Ai iu dhuroi nga një fanellë të personalizuar të Kombëtares Shqiptare, Lazim Destanit, Masar Omeragiçit dhe Bilall Kasamit. Ndryshe, deri tani stadiumi i Tetovës nuk ka plotësuar kriteret e UEFA-s andaj Shkëndija e Tetovës ndeshjet ndërkombëtare është detyruar t’i luaj në Shkup.
Postimi nga KASAMI:
Kisha kënaqësinë që, bashkë me pronarin e grupacionit Ecolog, filantropin Lazim Destani, t’i mirëpresim tre kryetarët e fedaratave, kryetarin e FFM-së Masar Omeragiq, kryetarin e FSHF-së dhe nënkryetar i UEFA-s, Armando Duka dhe kryetarin e FFK-së Agim Ademi.
Së shpejti, Stadiumi i Qytetit në Tetovë do të marrë pamje evropiane, ndërsa në bashkëpunim me FFM-në sigurojmë 10.000 ulëse, si dhe mbulojën e tribunave për stadiumin e ri.
U dakorduam që ky bashkëpunim i ngushtë të vazhdojë edhe më tej, për të mirën e sportit në Tetovë dhe në rajon.
Postimi nga DESTANI:
Dje, në bashkëpunim me Kryetarin e Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, patëm nderin e kënaqësinë t’i presim në një takim pune Nënpresidentin e UEFA-s njëkohësisht dhe President i Federatës Shqiptare të Futbollit – Armand Duka, Kryetarin e Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut – Masar Omeragiq, dhe Kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës – Agim Ademi.
Takimin e nisëm me një vizitë në Komunën e Tetovës ku temë kryesore ishte zhvillimi i punimeve për ndërtimin e stadiumit të qytetit. Pastaj, ashtu siç ishim së bashku, u nisëm drejt stadiumit të qytetit ku nga afër u njoftuam mbi ecurinë e punimeve. Në saje të bashkëpunimit të mirëfilltë që grupacioni Ecolog ka me Komunën këtu pamë se punimet po zhvillohen sipas standardeve dhe dinamikës së paraparë për këtë projekt.
Përmes një darke solemne këtë takim e përmbyllëm në ambientet e kompanisë sonë Ecolog. Me autoritetet e nderuara të futbollit zhvilluam biseda miqësore e konstruktive ku ndër të tjera e potencova rëndësinë e promovimit të standardeve dhe frymës europiane të futbollit këtu në rajonin tonë. Nga ky takim mbeta i kënaqur për gatishmërinë që ata shprehën për ta mbështetur projektin tonë infrastrukturor sipas kompetencave të FFM dhe UEFA-s, si dhe për zbatimin e standardeve Fair Play si parime bazë të UEFA-s.

