RajoniTop Lajme

Tensione gjatë seancës plenare të Kuvendit të Shqipërisë (Video)

Shpërndaje

Në ambientet e sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë janë shënuar tensione, para dhe pas nisjes së seancës parlamentare, raporton Anadolu.

Deputetët e partisë opozitare, Partisë Demokratike (PD) bllokuan foltoren dhe vendet ku qëndrojnë ministrat e kabinetit qeveritar, duke shkaktuar tensione.

Në ambient e sallës u hodhën edhe tymuese, ndërkohë deputetët e opozitës u përplasën edhe me punonjësit e Gardës së Republikës së Shqipërisë.

Gjatë tensioneve, deputetët e opozitës bënë thirrje që shumica parlamentare të “dorëzojë para ligjit”, zv.kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë të Shqipërisë, Belinda Balluku.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka vendosur më 19 nëntor të pezullojë nga detyra zv.kryeministren Balluku, vendim i cili është pezulluar nga Gjykata Kushtetuese deri në shqyrtimin e çështjes.

PD gjithashtu kundërshton edhe procedurën parlamentare për zgjedhjen e Endrit Shabanit në postin e Avokatit të Popullit të Shqipërisë, i cili u zgjodh në seancën parlamentare të datë 12 dhjetor.

Në mes të tensioneve të sotme, Shabani bëri betimin para deputetëve duke filluar zyrtarisht detyrën.

Në seancën e sotme ishte planifikuar të diskutohej për disa projektligje dhe të zhvillohej një mocion me debat për masat e marra nga Qeveria e Shqipërisë për luftën ndaj krimit të organizuar.

Për shkak të tensioneve nuk u zhvilluan diskutime për projektligjet dhe u kalua në votim.