Tre vjet pas dorëheqjes, në katër komuna në veri të Kosovës nesër rikthehen kryetarët serbë
Tre vjet pasi serbët dhanë dorëheqje nga institucionet qendrore dhe lokale të Kosovës, nesër pritet që në katër komunat me shumicë serbe në veri, Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, të rikthehet zyrtarisht udhëheqja e kryetarëve serbë, raporton Anadolu.
Para tre viteve, Lista Serbe, partia më e madhe serbe në Kosovë, dha dorëheqje nga të gjitha institucionet kosovare në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës për t’i riregjistruar automjetet me targa ilegale serbe.
Komunat në veri udhëhiqeshin nga katër kryetarë shqiptarë të cilët erdhën në pozita pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale që u mbajtën në prill të vitit 2023, ku Lista Serbe i bojkotoi zgjedhjet.
– Qytetarët e rajonit nuk kanë dëshiruar të japin deklaratë në periudhën e tranzicionit
Para marrjes së detyrës së kryetarëve serbë të komunave, Anadolu ka vëzhguar situatën në rajon, ndërkaq qytetarët e rajonit nuk kanë dëshiruar të japin deklaratë në periudhën e tranzicionit.
Patrullat policore si dhe zyrtarët policorë të Kosovës janë të pranishëm pothuajse në çdo lagje të Mitrovicës së Veriut, komunës më të madhe me shumicë serbe, derisa në këtë pjesë për herë të parë që nga paslufta u hapën edhe kafeteri dhe biznese shqiptare.
Pas vendimeve të Qeverisë së Kosovës në komunat veriore dhe rritjes së tensioneve në këtë pjesë, Kosova vazhdon të mbetet nën masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian (BE) të cilat u vendosën në vitin 2023.
Erden Atiq në Mitrovicë të Veriut, Izmir Zeqiri në Zubin Potok, Ilir Peci në Zveçan dhe Lulzim Hetemi në Leposaviq ishin zgjedhur kryetarë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të vitit 2023 pasi që kryetarët serbë që ishin të Listës Serbe kishin dhënë dorëheqje.
Lista Serbe do ta rikthejë udhëheqjen në këto komuna edhe zyrtarisht të premten. Në Mitrovicë të Veriut ajo do të qeverisë me Milan Radejeviqin, në Zubin Potok me Milosh Peroviqin, në Zveçan me Dragisha Miloviqin, ndërsa në Leposaviq me Zoran Todiqin.

