Bota

Trump bllokon cisternat e naftës, tjetër goditje për Maduron, rriten tensionet mes SHBA dhe Venezuelës

Shpërndaje

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka urdhëruar “bllokimin total dhe të plotë” të të gjitha cisternave të naftës të sanksionuara që hyjnë ose dalin nga Venezuela.

“Po urdhëroj një bllokadë totale dhe të plotë të të gjitha cisternave të sanksionuara të naftës që hyjnë dhe dalin nga Venezuela. Të huajt dhe kriminelët e paligjshëm që regjimi i Maduros ka dërguar në Shtetet e Bashkuara gjatë administratës së dobët dhe të paaftë të Biden, po kthehen në Venezuelë me një ritëm të shpejtë”, tha Trump.

Trump thekson se nuk do te lejoj që vendi i tij të vidhet nga terroristët.

“Amerika nuk do të lejojë që kriminelët, terroristët apo vendet e tjera të grabisin, kërcënojnë ose dëmtojnë kombin tonë dhe, po ashtu, nuk do të lejojë që një regjim armiqësor të na marrë naftën, tokën apo ndonjë pasuri tjetër, të cilat duhet t’i kthehen të gjitha Shteteve të Bashkuara, menjëherë”, deklaroi Trump.

Njoftimi vjen mes tensioneve në rritje midis dy vendeve. SHBA-ja ka kryer tashmë 22 sulme ndaj anijeve të pretenduara si “narko-terroriste” në det, duke vrarë 87 persona në Detin e Karaibeve dhe Oqeanin Paqësor Lindor në fillim të shtatorit.

Vetëm javën e kaluar, SHBA-të konfiskuan një anije cisternë të naftës pranë brigjeve të Venezuelës, që përforcoi mesazhin e ashpër të administratës Trump. Kjo masë synon të presë burimet financiare të regjimit, i cili, sipas Trump, përdor naftën për të financuar aktivitete kriminale dhe për të mbështetur terrorizmin, trafikun e drogës dhe krime të tjera.