UNT shënon 9-vjetorin dhe nderon akademik Alajdin Abazin me titullin “Doctor Honoris Causa”
Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup organizoi sot një ceremoni solemne për të shënuar 9-vjetorin e fillimit të punës, kurorëzim për rrugëtimin e suksesshëm akademik të këtij institucioni. Ngjarja qendrore e këtij manifestimi ishte ndarja e titullit “Doctor Honoris Causa” për Akademik Prof. Dr. Alajdin Abazin, me motivacionin “për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në zhvillimin e kulturës, arsimit dhe kërkimit shkencor, si dhe për rolin e tij si një prej intelektualëve më të shquar të kombit shqiptar.”
Gjatë hapjes së manifestimit, rektori i UNT-së, Prof. Dr. Bekim Fetaji, theksoi se ky përvjetor shënon jetësimin e një misioni edukativ që tejkalon dimensionet e thjeshta akademike.
“Ne nuk jemi vetëm një institucion i të mësuarit, por një komunitet i përkushtuar i dijes, humanizmit dhe përgjegjësisë shoqërore. Ashtu siç thoshte Nënë Tereza, ne synojmë të krijojmë valë të ndryshimit pozitiv përmes një arsimi që tejkalon kufijtë dhe kulturat. Çdo ligjëratë, çdo libër dhe çdo kërkim shkencor që publikohet në këtë tempull të dijes, është një valë pozitive që trazon plogështinë dhe sjell progres në shoqërinë tonë,” u shpreh Rektori Fetaji.
Ai shtoi se universiteti do të vazhdojë të jetë një qendër e hulumtimit dhe inovacionit, duke kultivuar një mjedis ku çdo student frymëzohet për të dhënë më të mirën nga vetja.
Në këtë ceremoni, në emër të pushtetit qendror, fjalë përshëndetëse mbajti Zëvendëskryeministri, z. Arben Fetai, i cili e cilësoi këtë përvjetor si triumf të një aspirate historike për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.
Zëvendëskryeministri Fetai nënvizoi se emri i Universitetit na kujton se dija pa etikë është e zbrazët, ndërsa bëri të ditur nënshkrimin e ardhshëm të një memorandumi bashkëpunimi që do të mundësojë praktika pune për studentët e UNT-së në kabinetin qeveritar.
Momenti kulminant i ceremonisë u shënua kur rektori i Universitetit “Nënë Tereza”, Prof. Dr. Bekim Fetaji, i dorëzoi zyrtarisht titullin e lartë “Doctor Honoris Causa” Akademikut Prof. Dr. Alajdin Abazi. Rektori Fetaji, gjatë dorëzimit të kësaj mirënjohjeje, vlerësoi lartë figurën e Akademik Abazit si një arkitekt i arsimit të lartë në shqip në Maqedoninë e Veriut.
Pas këtij akti solemn, Akademik Abazi iu drejtua auditoriumit me një fjalim frymëzues, duke evokuar rrugëtimin e tij të gjatë profesional si inxhinier, profesor dhe akademik. Ai vuri theksin te rëndësia jetike e ndërtimit të institucioneve dhe edukimit të brezave të rinj, duke deklaruar:
“Ky nderim nuk më takon vetëm mua, por të gjithë atyre që besuan në vizionin për arsimimin shqip. Mesazhi im për studentët është i thjeshtë: mos prisni vetëm momentet e mëdha, por bëni gjërat e vogla me dashuri të madhe. Arsimi duhet të jetë një forcë bashkuese dhe UNT sot qëndron si një fener i dijes dhe bashkëjetesës në rajonin tonë.”
Ky 9-vjetor shënoi edhe një hap tjetër drejt institucionalizimit të mirënjohjes, ku për herë të parë u ndanë Plaketat e Nderit “Nënë Tereza”. Për kontribut të shquar në shkencë u nderua Prof. Dr. Skender Kodra, në fushën e arsimit Prof. Dr. Havzi Mustafa, ndërsa për kontribut në komunitet plaketa iu nda z. Bajram Imerit nga kompania “Eftinija Impeks”.
Ky jubile dëshmon pjekurinë e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup si një vatër e palëkundur e dijes dhe humanizmit, që vazhdon të prodhojë kuadro vizionare të gatshme për tregun e punës dhe dijes.

