Ushtria izraelite sulmon 2 fshatra në Libanin jugor pas urdhrit të evakuimit
Ushtria izraelite nisi sulme të reja ajrore në Libanin jugor, menjëherë pasi lëshoi urdhra të menjëhershëm evakuimi për banorët e dy fshatrave, transmeton Anadolu.
Ushtria izraelite pretendoi se sulmet ajrore shënjestruan lokacionet e Hezbollahut në fshatrat Jbaa dhe Mahrouneh.
Sulmet erdhën menjëherë pasi zëdhënësi i ushtrisë, Avichay Adraee, urdhëroi banorët e dy fshatrave të largohen menjëherë nga shtëpitë e tyre përpara sulmeve, duke pretenduar se sulmet ishin në përgjigje të asaj që ai e përshkroi si “përpjekje të ndaluara” të Hezbollahut për të rindërtuar aktivitetet e tij në Libanin jugor.
Ushtria izraelite gjithashtu lëshoi një urdhër evakuimi të menjëhershëm për banorët e qytetit Mjadel në qarkun Tyre dhe qytetit Baraachit në Nabatieh.
Nuk pati ndonjë koment të menjëhershëm nga Hezbollahu ose autoritetet libaneze mbi sulmet izraelite.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit, të paktën 335 persona janë vrarë dhe 973 të tjerë janë plagosur nga zjarri izraelit që nga hyrja në fuqi e armëpushimit më 27 nëntor të vitit 2024. Misioni paqeruajtës i OKB-së (UNIFIL) gjithashtu raportoi më shumë se 10 mijë shkelje ajrore dhe tokësore nga Izraeli.
Sipas armëpushimit, ushtria izraelite duhej të tërhiqej nga Libani jugor këtë janar, por në vend të kësaj u tërhoq vetëm pjesërisht dhe vazhdon të mbajë një prani ushtarake në pesë pika kufitare.

