VLEN: Fetai nga Doha prezanton modelin e qeverisjes së mirë dhe luftës së pakompromis kundër korrupsionit
Koalicioni VLEN vlerëson praninë e zëvendëskryeministrit Arben Fetai në Doha, në kuadër të CoSP11 – Konferencës së OKB-së kundër Korrupsionit, si dëshmi të një përfaqësimi serioz dhe përmbajtësor të vendit në platformat ndërkombëtare që trajtojnë sfidat reale të korrupsionit.
Modeli i prezantuar nga Fetai reflekton qasjen që mbështet VLEN: lufta kundër korrupsionit nuk ndërtohet mbi deklarata, por mbi udhëheqje të qartë, koordinim institucional dhe mekanizma konkretë zbatimi. Vetëm përmes veprimit real, llogaridhënies së vazhdueshme dhe përfshirjes aktive të shoqërisë civile mund të ndërtohet besimi i qytetarëve në institucione.
VLEN konfirmon se qeverisja e mirë është standard që duhet zbatuar brenda vendit dhe vlerë që përfaqësohet me dinjitet edhe në skenën ndërkombëtare. Politikat e bazuara në të dhëna, digjitalizimi i proceseve dhe transparenca mbeten shtylla themelore për reduktimin e korrupsionit dhe ndërtimin e institucioneve të pastra, të përgjegjshme dhe funksionale në shërbim të interesit publik.
Postimi nga Fetai:
Konferenca e Shteteve Palë të Konventës së OKB-së kundër Korrupsionit në Doha po shkon drejt përmbylljes.
Përgjatë këtyre ditëve, mbi 2,500 përfaqësues nga 170 shtete diskutuan zgjidhje konkrete për sfidat që korrupsioni paraqet sot, nga përdorimi i inteligjencës artificiale, te transparenca në financimin politik, te ndërtimi i kulturës së integritetit dhe adresimi i ndërlidhjes së korrupsionit me krime të tjera serioze.
Mesazhi është i qartë: lufta kundër korrupsionit kërkon institucione që veprojnë, politika që zbatohen dhe besim që ndërtohet me vepra.
Kjo është rruga që duhet ndjekur, pa kompromis.

