BotaTop Lajme

Zelensky: Marrëveshja për t’i dhënë fund gjakderdhjes mund të arrihet këtë javë

Shpërndaje

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka lënë të kuptohet se një marrëveshje paqeje me Rusinë për t’i dhënë fund luftës mund të finalizohet brenda kësaj jave. Në një postim në Telegram, ai konfirmoi se zyrtarët ukrainas do të zhvillojnë sot bisedime me Shtetet e Bashkuara për një draft-plan paqeje.

Këto negociata do të pasohen nesër nga një takim virtual i të ashtuquajturit “koalicioni i vullnetarëve” të vendeve evropiane, që po punojnë ngushtë me Kievin për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme.

“Jemi në fazën përfundimtare të 20 pikave të një dokumenti themelor që mund të përcaktojë parametrat e përfundimit të luftës, dhe presim t’ua dorëzojmë këtë dokument Shteteve të Bashkuara së shpejti, pas punës së përbashkët me ekipin e presidentit Trump dhe partnerët tanë në Evropë”, shkroi Zelensky, raporton “Metro”, transmeton Klankosova.tv.

Ai shtoi se puna me “Koalicionin e Vullnetarëve” po vijon në mënyrë shumë produktive, me synim garantimin e sigurisë së të ardhmes dhe shmangien e çdo agresioni të ri rus. “Kjo javë mund të sjellë lajme për të gjithë ne dhe t’i japë fund gjakderdhjes”, u shpreh presidenti ukrainas.

Deklarata e tij vjen pasi u raportua se Donald Trump i ka dhënë Zelenskyt afat deri në Krishtlindje për të pranuar një marrëveshje paqeje. Ultimatumi thuhet se iu komunikua presidentit ukrainas javën e kaluar gjatë një bisede dyorëshe telefonike nga të dërguarit amerikanë për paqen, Jared Kushner dhe Steve Witkoff.

Presidenti amerikan kritikoi gjithashtu liderët evropianë, duke i quajtur “të dobët” për dështimin në arritjen e një marrëveshjeje paqeje, gjatë një interviste për “Politico” të hënën.

Zelensky tha mbrëmë se po punon “shumë aktivisht” me aleatët evropianë për hartimin e një propozimi të ri paqeje. Edhe Britania konfirmoi se procesi i paqes ka hyrë në një “moment kritik”, pasi kryeministri britanik ka zhvilluar biseda me Trumpin dhe udhëheqësit e Francës e Gjermanisë.

Sipas Zelenskyt, drafti i ri përmban 20 pika – nga 28 që ishin fillimisht – pasi disa “pika qartësisht anti-ukrainase janë hequr”. Ai theksoi se ende nuk ka marrëveshje për dorëzimin e territorit, një kërkesë që Trump e sheh si të domosdoshme për paqen, por që Ukraina dhe vendet evropiane e kundërshtojnë prej kohësh. /Klankosova.tv