Zelenskyy: Ukraina kërkon garanci sigurie nga SHBA-ja për 30-50 vjet
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha sot se i ka kërkuar presidentit të SHBA-së, Donald Trump të shqyrtojë ofrimin e garancive të sigurisë për Kievin për një periudhë prej 30 deri në 50 vjet, transmeton Anadolu.
Sipas Zelenskyyt, Trump tha se do ta “mendonte” propozimin. Megjithatë, presidenti ukrainas tha se sipas marrëveshjeve aktuale, Kievi “patjetër” do të marrë garanci sigurie nga SHBA-ja për një periudhë prej 15 vjetësh. Ai tha se Ukraina pret që raundi i ardhshëm i bisedimeve me SHBA-në të zhvillohet në Kiev në janar.
“(Kreu i Këshillit Kombëtar të Mbrojtjes dhe Sigurisë së Ukrainës) Rustem Umerov tashmë po e koordinon këtë proces me partnerët. Pas takimit, janë planifikuar negociata midis udhëheqësve evropianë dhe Ukrainës, harmonizimi i dokumenteve kryesore dhe përgatitja e kontakteve midis Trumpit dhe liderëve evropianë”, tha Zeleneskyy në konferencën për mediat me presidentin e SHBA-së Donald Trump në Mar-a-Lago, Florida.
Sipas tij, Trump diskutoi mbi planin e tij të paqes me 20 pika me presidentin rus Vladimir Putin dhe tha se presidenti rus është gati për paqe. “Nuk dua të hyj në detaje tani. Por, i thashë presidentit se për ne është e rëndësishme që fjalët të përputhen me veprat”, tha presidenti ukrainas.
I pyetur për heqjen e mundshme të ligjit ushtarak në Ukrainë, Zelenskyy tha se ai mund të hiqet vetëm pas “shfaqjes së garancive reale të sigurisë”, përfshirë edhe vendosjen e trupave të huaja.

