MaqedoniTop Lajme

Zeqirija Ibrahimi jep dorëheqje nga posti i kryetarit të Alternativës

Shpërndaje

Kryetari i deritanishëm i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi ka njoftuar se ka dorëzuar dorëheqje të parevokueshme nga posti i të parit të partisë. Në vend të tij, ai ka njoftuar se unanimisht deri në kongresin e radhës të partisë është përzgjedhur të jetë Bekim Sali.
Duke shpjeguar arsyet e dorëheqjes, Ibrahimi ka thënë se kjo vjen vetëm për shkak të bindjeve të tij politike dhe se nuk ka të bëj me asnjë pakënaqësi ndaj politikës së Alternativës ose të VLEN-it në përgjithësi.

“Madje, që ta eliminoj çdo keqkuptim, mund të them se, duke besuar fuqishëm në unifikimin e VLEN-it, unë tashmë e kam ofruar një model të këtij bashkimi në tavolinën e liderëve dhe jam shumë optimist që ai do të pranohet. Për ta shtyrë më tej këtë shpjegim, më duhet të them se pas kësaj përvoje në VLEN dhe përtej suksesit elektoral, tashmë kur VLEN-it i duhet një projekt i ri politik, një vizion i ri, një kauzë e re politike, një ridefinim i subjektivitetit politik të shqiptarëve, por edhe një lidership i ri, unë gjykoj se nuk mund të ofroj më shumë seç kam ofruar deri tash në këtë drejtim nga ky pozicion dhe prandaj dëshiroj që të jem shtegu për energjinë e re që e kërkon ky proces.”, ka shkruar Ibrahimi.

Ibrahimi më tutje thotë se njëra nga shtyllat e misionit të tij politik tashmë është kryer, me largimin nga skena politke, një klasë politike, që sipas tij, e ka degraduar ndjeshëm përfaqësimin politik të shqiptarëve të RMV-së.

“Është e vërtetë se largimi i kësaj klase politike nuk nënkupton edhe përmirësim automatik dhe detyrimisht të gjendjes së përgjithshme, por të gjithë ne që kemi vepruar deri tash në këtë rrugë, e kemi ditur se pa mënjanimin e tyre nga skena nuk mund të krijoheshin mundësi për të ardhur në shprehje ide të reja, politika të reja dhe figura të reja. Deri tash kjo varej shumë nga heqja e kësaj pengese nga rruga, ndërsa tash e tutje suksesi varet më shumë nga projekti i ri politik i shqiptarëve në RMV”, shkruan më tej Ibrahimi.

Sa i përket angazhimit të tij Ibrahimi tha se ai ka disa projekte të papërfunduara shkencore, por se do të vazhdojë të jetë në shërbim të Alternativës dhe VLEN-it në detyrat që mund t’I besohen në prapaskenë.

“Le të jetë Zoti gjykatësi im dhe historia dëshmitarja e punës sime!

Pa pretenduar të krahasohem, po e përfundoj këtë dorëheqje me atë që profeti Muhamed e përfundoi fjalimin e tij lamtumirës: “O Zot, dëshmo! O Zot, dëshmo! O Zot, dëshmo!””, përfundon shkrimin e tij Ibrahimi.