“Zgjedhja e qeverisë, të bëhet me shumicë Badenteri”, Ahmeti prezanton rezolutat strategjike
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, në Kongresin e 5-të të partisë theksoi rëndësinë e unitetit të shtetit dhe të funksionimit të drejtë të institucioneve në Maqedoninë e Veriut. Ai nënvizoi se BDI është e përkushtuar ndaj legjitimitetit të dyfishtë, përfaqësimit të barabartë të komuniteteve dhe thellimit të decentralizimit lokal.
“E para, Zgjedhja e Qeverisë me shumicë të dyfishtë (Badenteri Ekzekutiv). Propozojmë që çdo përbërje e re e Qeverisë të marrë besimin e Kuvendit jo vetëm me shumicën e deputetëve, por edhe me shumicën e deputetëve të komuniteteve jo-shumicë. E dyta, Zbatimi i Parimit të Badenterit në Gjykatën Kushtetuese. Ligjet që miratohen me shumicë të dyfishtë në Kuvend (në bazë të parimit të Badenterit), nuk duhet të rrëzohen në Gjykatën Kushtetuese pa shumicë të dyfishtë edhe në radhët e gjykatësve. Propozojmë ndryshime që do të mundësojnë që vendimet që prekin të drejtat e komuniteteve jo-shumicë të mos merren pa konsensus të ndërsjellë brenda Gjykatës. E treta, Thellimi i Decentralizimit dhe Vetëqeverisjes Lokale. Propozojmë një fazë të re të decentralizimit funksional dhe fiskal, me transferim të mëtejshëm të kompetencave në fushat e arsimit, shëndetësisë, zhvillimit lokal dhe administrimit të pasurive publike”, tha mes tjerash Ahmeti.
Ahmeti kërkoi veting të plotë dhe hetim gjithëpërfshirës për funksionarët publikë të 34 viteve të fundit, si dhe mbështeti masa për luftën kundër korrupsionit dhe oligarkisë.
Ai prezantoi edhe konceptin e “Marrëveshjes Kombëtare për Përparim”, një vizion për zhvillim ekonomik konkurrues, transformim digjital, administratë efikase, energji të qëndrueshme, arsimin cilësor dhe pjesëmarrjen aktive të rinisë, me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës për të gjithë qytetarët.
Ahmeti rikujtoi përkushtimin e BDI-së ndaj integrimit europian, duke theksuar se procesi nuk është vetëm teknik, por garanton stabilitet, siguri dhe zhvillim të qëndrueshëm për vendin.
“BDI respekton dhe mbështet identitetin kombëtar maqedonas në procesin e integrimit europian, duke vlerësuar se vetem një shtet i konsoliduar dhe integruar në BE mund të ruaj dhe kultivojë identitetet kombëtare të popujve këtu. BDI ka qenë dhe do të mbetet garant i kursit evropian të vendit. Ne kemi marrë vendime të vështira, por të drejta, gjithmonë duke pasur parasysh interesin afatgjatë të shtetit dhe të qytetarëve. Ne kemi dëshmuar se dimë të udhëheqim me përgjegjësi, me maturi politike dhe me vizion strategjik”, tha Ahmeti.
Ai përfundoi me thirrje për pjesëmarrje aktive të të rinjve, grave dhe diasporës në procesin shtetformues, duke nënvizuar se e ardhmja e Maqedonisë së Veriut ndërtohet mbi barazi, përgjegjësi dhe unitet.

