Zv.kryeministri Arben Fetai mori pjesë në ceremoninë solemne të 9-vjetorit të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup
Zëvendëskryeministri Arben Fetai mori pjesë sot në ceremoninë solemne me rastin e shënimit të 9-vjetorit të themelimit të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, një institucion që përfaqëson një arritje të rëndësishme për arsimin e lartë dhe emancipimin arsimor të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, njofton albazone media.
Me këtë rast, Fetai theksoi se Universiteti “Nënë Tereza” është dëshmi e gjallë e triumfit të një ideje të madhe dhe e përpjekjeve kolektive për të ndërtuar një të ardhme më të drejtë, ku çdo i ri shqiptar ka qasje të barabartë në arsim cilësor në gjuhën amtare.
Ai nënvizoi rëndësinë e vazhdimit të investimit në dije dhe arsim, si themel për ndërtimin e një shoqërie të zhvilluar, demokratike dhe gjithëpërfshirëse, ku brezat e rinj ndihen krenarë për identitetin dhe mundësitë e tyre.
Në fund, zëvendëskryeministri Fetai uroi përzemërsisht gjithë familjen e Universitetit “Nënë Tereza” – rektoratin, profesorët, studentët dhe stafin – për kontributin e tyre të vazhdueshëm në avancimin e arsimit të lartë në vend.

