RajoniTop Lajme

12 vendime të Kuvendit shpallen jokushtetuese, u kontestuan nga deputetët e PDK-së

Shpërndaje

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shpallur aktgjykimin lidhur me kërkesat e paraqitura nga deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), të regjistruara në rastet KO246/24 deri KO260/24, si dhe rastin KO261/24, që kishin të bëjnë me vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimeve të Kuvendit të miratuara më 5 dhjetor 2024.

Në aktgjykimin e saj, Gjykata ka konstatuar se vendimet e kontestuara të Kuvendit përmes të cilave janë miratuar 12 ligje nuk janë në përputhshmëri me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, përkatësisht me nenet 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], 7 [Vlerat], 74 [Ushtrimi i funksionit], 76 [Rregullorja e punës] dhe 77 [Komisionet].

Vendimet e shpallura jokushtetuese janë ato përmes të cilave janë miratuar:

  • Ligji për Shërbimet e Pagesave;
  • Ligji kundër dukurive negative në sport;
  • Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit;
  • Ligji për provimin e maturës shtetërore;
  • Ligji për Banim Social dhe të Përballueshëm;
  • Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim;
  • Ligji për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor;
  • Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurorinë Speciale;
  • Ligji për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore;
  • Ligji për Financimin e Menaxhimit të Resurseve Ujore;
  • Ligji për Inspektoratin Qendror të mjedisit, ujërave, natyrës, ndërtimit si dhe mbrojtjen nga rrezatimi dhe siguria bërthamore;
  • Ligji për Lojërat Mesdhetare XXI “Prishtina 2030”.

Ndërkaq, Gjykata Kushtetuese ka vendosur se tre vendime të Kuvendit janë në përputhshmëri me Kushtetutën, përkatësisht vendimet përmes të cilave janë miratuar:

  • Ligji për Bankat;
  • Ligji për Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut;
  • Ligji për Gjykatën Administrative.

Gjykata ka konstatuar se, në rastin e ligjeve të shpallura jokushtetuese, procedura e ndjekur nga Kuvendi më 5 dhjetor 2024 ka cenuar ushtrimin e funksionit të deputetëve, rregulloren e punës dhe rolin e komisioneve parlamentare, në kundërshtim me dispozitat përkatëse kushtetuese.