BBC publikon listën: Kujt “ia ka vënë syrin” Trumpi pas Venezuelës
Mandati i dytë i presidentit amerikan Donald Trump po formësohet nga ambiciet e tij në politikën e jashtme. Pas operacionit dramatik në Venezuelë, ku u synua kapja e presidentit Nicolás Maduro dhe bashkëshortes së tij, analistët shohin një rikthim të Doktrinës Monroe dhe përpjekje për të rivendosur epërsinë amerikane në hemisferën perëndimore. Sipas BBC-së, disa vende duket se janë në shënjestrën e Uashingtonit.
Trump ka shprehur interes për Groenlandën, ishullin arktik pjesë e Mbretërisë Daneze, duke argumentuar nevojën për siguri kombëtare dhe për pasuritë minerale, për shkak të pranisë së anijeve ruse dhe kineze në rajon. Vetëm pak orë pas operacionit në Venezuelë, ai paralajmëroi presidentin kolumbian Gustavo Petro, duke theksuar rolin kyç të Kolumbisë në tregtinë e drogës dhe pasuritë minerale dhe energjetike të vendit, ndërsa SHBA ka bashkëpunuar historikisht me Kolumbinë në luftën kundër kartelëve të drogës. Edhe Irani ka tërhequr vëmendjen e Trump, i cili paralajmëroi autoritetet iraniane për goditje të ashpra nëse vazhdojnë dhunën ndaj protestuesve.
Në lidhje me Meksikën, që nga rikthimi në pushtet, Trump ka kërkuar ndërtimin e murit kufitar dhe ka kritikuar menaxhimin e emigrantëve dhe trafikut të drogës, duke nënshkruar në vitin 2025 urdhër ekzekutiv për riemërtimin e Gjirit të Meksikës si “Gjiri i Amerikës”. Kuba, e cila ka pasur marrëdhënie të ngushta me Venezuelën, mund të përballet me krizë energjetike pas largimit të Maduro-s, dhe Trump sugjeroi se ndërhyrja ushtarake mund të mos jetë e nevojshme, pasi vendi mund të rrëzohet vetë. Këto veprime tregojnë qartë fokusin e Trump në forcimin e ndikimit amerikan dhe kontrollin e burimeve strategjike në hemisferën perëndimore dhe më gjerë.

