BDI: 40 milionë euro kredi – investim monoetnik që diskriminon nxënësit dhe studentët shqiptar
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Qeverisë për marrjen e një kredie prej 40 milionë eurosh për ndërtimin dhe renovimin e shkollave dhe konvikteve, duke e cilësuar ndarjen e mjeteve si të padrejtë dhe diskriminuese ndaj komunave me shumicë shqiptare. Nga BDI theksojnë se investimet në arsim janë të domosdoshme dhe të mirëpritura, por sipas tyre, mënyra se si janë orientuar këto mjete është e papranueshme, pasi projektet janë përqendruar pothuajse tërësisht në qytetet me shumicë maqedonase, duke përjashtuar institucionet arsimore ku mësojnë nxënës shqiptarë.
“Investimet kapitale në arsim duhet të jenë të drejta, gjithëpërfshirëse dhe të balancuara, duke reflektuar realitetin multietnik të shtetit dhe nevojat reale të të gjithë qytetarëve. Përjashtimi i shkollave dhe konvikteve me nxënës shqiptarë nga këto projekte përbën diskriminim institucional dhe shkelje të parimit të barazisë”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Sipas kësaj partie, vendimi nuk është as rastësor dhe as rezultat i ndonjë gabimi teknik, por një politikë e qëllimshme që synon, siç thonë ata, margjinalizimin e komunave shqiptare dhe rikthimin e praktikave të vjetra të ndarjes etnike të buxhetit shtetëror. “Qeveria po merr kredi në emër të të gjithë qytetarëve, përfshirë shqiptarët, por investimet po i orienton vetëm drejt një komuniteti. Kjo është padrejtësi e hapur dhe shkelje e drejtpërdrejtë e parimeve kushtetuese të barazisë dhe bashkëjetesës”, thekson BDI.
Në këtë drejtim, Bashkimi Demokratik për Integrim kërkon publikimin e menjëhershëm të listës së projekteve që do të përfitojnë nga kjo kredi, si dhe sqarimin e kritereve mbi bazën e të cilave janë ndarë mjetet financiare.
“Nëse kjo padrejtësi vazhdon, qeveria mban përgjegjësi të plotë politike dhe morale për thellimin e ndarjeve në vend”, paralajmëron partia opozitare. BDI thekson se nuk do të heshtë përballë, siç e cilëson, diskriminimit institucional dhe se do të kundërshtojë çdo politikë që synon margjinalizimin e shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

