Bild: Trump anuloi sulmin ndaj Iranit në minutën e fundit, avionët ishin ngritur
Lëvizjet e SHBA-së në orët e fundit kanë ngritur pikëpyetje, pasi gjithçka tregonte se ishte duke u zhvilluar një operacion ushtarak kundër Iranit, por deri më tani nuk është zhvilluar. Sipas gazetës gjermane Bild, Trump “shtypi frenat” në minutën e fundit.
Regjimi iranian është akuzuar për vrasjen e mijëra protestuesve dhe arrestimin e më shumë se 18,000 njerëzve, sipas organizatës së të Drejtave të Njeriut HRANA. Pavarësisht shtypjes, protestat kanë vazhduar, ndërsa Donald Trump ka shprehur mbështetjen publikisht për protestuesit, dhe madje I ka nxitur ata që të vazhdojnë që të protestojnë pasi “ndihma amerikane do të vijë”.
****
Një ditë më parë, ngjarjet që ndodhën përforcuan përshtypjen se ndërhyrja amerikane ishte e afërt. Fillimisht, personeli ushtarak amerikan thuhet se u largua nga bazat ushtarake në rajon si masë paraprake. Në darkë, hapësira ajrore mbi Iranin u mbyll.
Imazhet e radarëve treguan se nuk kishte fluturime civile mbi Iran. Në të njëjtën kohë, avionë cisternë u ngritën nga baza ajrore amerikane në Katar, siç mund të shihte kushdo në shërbimet e të dhënave të fluturimit.
Sipas një raporti në New York Times, bombarduesit amerikanë me rreze të gjatë veprimi ishin vënë në gatishmëri për sulme dytësore. Megjithatë, vonë mbrëmë, një zyrtar amerikan tha se ky proces ishte “ngrirë”.
Në të njëjtën kohë, një rrjet analistësh, Faytuks Network, raportoi se kishte zbuluar tinguj avionësh luftarakë në 11 vende në hapësirën ajrore irakiane, por theksoi se kjo nuk është domosdoshmërisht provë e një sulmi të afërt.
Disa orë më vonë, Donald Trump bëri disa deklarata të habitshme. Duke folur me gazetarët, ai tha se regjimi Iranian kishte ndaluar ekzekutimet e protestuesve. “Ata janë ndalur dhe nuk ka plane për ekzekutime”, tha ai.
Më parë, Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi i tha Fox News se “as sot dhe as nesër” nuk do të ketë varje, duke iu referuar shtyrjes së ekzekutimit të protestuesit 26-vjeçar Erfan Soltani.
I pyetur nga një gazetar nëse kjo përjashtonte një ndërhyrje ushtarake amerikane, Trump u përgjigj: “Ne do të ndjekim zhvillimet, por kemi marrë një informacion shumë të mirë nga njerëz që dinë se çfarë po ndodh.”
Mbetet e paqartë nëse presidenti amerikan i beson vërtet garancive të Teheranit, apo nëse kjo është një manovër taktike.
Analistët kujtojnë se në të kaluarën Trump ka përdorur lëvizje mashtruese, të tilla si kur ai u shfaq duke u përplasur publikisht me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu para sulmeve ajrore ndaj objekteve bërthamore iraniane.
Megjithatë, analisti ushtarak izraelit Amir Bohbot beson se ky është një përmbysje e vërtetë. Sipas informacionit që ai citon, thuhet se Trump ndërhyri personalisht për të ndaluar sulmin, duke ua bërë të qartë këshilltarëve të tij se ai do të miratonte sulme vetëm nëse do të kishte siguri se ato do t’i jepnin një goditje vendimtare regjimit iranian.

