MaqedoniTop Lajme

DAP: 4.4 miliardë euro të ardhura në vitin 2025, rritje prej 308 milionë euro krahasuar me vitin 2024

Shpërndaje

Nga Drejtoria për të Ardhura Publike në një kumtesë për media bëjnë të ditur se në buxhetin e shtetit në vitin 2025 janë mbledhur 4 miliardë e 426 milionë euro nga taksat dhe kontributet sociale, transmeton TV21. Siç thonë nga DAP, krahasuar me vitin 2024 ka rritje të të ardhurave prej 308.3 milionë euro. Nga DAP mes tjerash theksojnë se nga shuma totale, të ardhurat tatimore arrijnë në 2 miliardë e 334 milionë euro, me një rritje prej 7,5%, përkatësisht 163,2 milionë euro më shumë se vitin e kaluar.

Kumtesa e plotë e Drejtorisë për të Ardhura Publike.

Drejtoria e të Ardhurave Publike njofton se gjatë vitit 2025 në buxhetin e shtetit janë mbledhur 4 miliardë e 426 milionë euro nga taksat dhe kontributet sociale, që është 308,3 milionë euro më shumë krahasuar me vitin 2024.

Nga shuma totale, të ardhurat tatimore arrijnë në 2 miliardë e 334 milionë euro, me një rritje prej 7,5%, përkatësisht 163,2 milionë euro më shumë se vitin e kaluar. Rritja ka qenë e vazhdueshme gjatë gjithë vitit, me ritëm më të theksuar në gjysmën e dytë të vitit 2025, kur është realizuar rreth katër të pestat e rritjes vjetore.

Të ardhurat nga TVSH-ja bazohen në një rritje të qëndrueshme të arkëtimit të tatimit të paguar për qarkullimin brenda vendit, ku në disa muaj është shënuar rritje nga 10 deri në 13 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Te tatimi mbi fitimin, rritja vjen si rezultat i pagesës paraprake për vitin 2025 mbi një bazë më të lartë tatimore, si dhe nga rritja e arkëtimit të tatimit të mbajtur në burim nga dividentët dhe të ardhurat e tjera të paguara për themelues dhe partnerë të huaj të kompanive, ku është regjistruar rritje mbi 30%.

Në segmentin e tatimit mbi të ardhurat personale, pjesëmarrjen më të madhe e ka tatimi mbi pagat, i cili shënon rritje të qëndrueshme mujore dhe rritje totale mbi 10%, ndërsa rritje e lartë është realizuar edhe te tatimi mbi të ardhurat nga shërbimet kontraktuale, bujqësia dhe veprimtaria e pavarur.

Sa i përket kontributeve sociale, janë mbledhur 2 miliardë e 92 milionë euro, që është 145,2 milionë euro më shumë se në vitin 2024, përkatësisht një rritje prej 7,5%.

Këto rezultate janë rezultat i forcimit të arkëtimit në kohë të detyrimeve me përgjegjësi të përbashkët të tatimpaguesve, ndërhyrjes së hershme dhe zbatimit të qëndrueshëm të masave ligjore. Në vitin 2026, Drejtoria e të Ardhurave Publike do të vazhdojë aktivitetet për mbledhje efikase, të drejtë dhe transparente të të ardhurave publike.