RajoniTop Lajme

Drenasi me ditë të tëra pa ujë, Lladrovci paralajmëron hapa ligjor ndaj KRU “Prishtina”

Shpërndaje

Komuna e Drenasit që nga e mërkura është duke u përballur me mungesë të ujit.

Komuna e Drenasit njofton qytetarët se përkundër vështirësive që shkaktuan vërshimet dhe bora, angazhimi dhe përballja me këtë gjendje të rënduar, është e vazhdueshme.

Vështirësi e veçantë është furnizimi me ujë të pijes për disa ditë në një pjesë të territorit të komunës dhe mund të shkaktohet katastrofë humanitare.”, thuhet në njoftimin e Komunës së Drenasit.

Sipas njoftimit, Kryetari i Drenasit ka paralajmëruar hapa ligjor ndaj KRU “Prishtina”.

“Lidhur me furnizimin me ujë, qytetarët duhet të drejtohen pranë Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”.

Kryetari i komunës së Drenasit, z. Ramiz Lladrovci, ka bërë të ditur se Komuna do të ndërmarrë hapa ligjorë ndaj KRU “Prishtina”, për mosfurnizim të rregullt me ujë të pijshëm.

Reagimi i plotë:

Po punojmë që gjendja të normalizohet në komunën e Drenasit!
Ditën e fillova në rrugët me borë, rrugë të vërshuara nga uji i paparë dhe ankesat për mungesën e ujit të pijes.
Gjatë gjithë ditës, me ekipet emergjente, me kompanitë e kontraktuara për pastrimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve, me Policinë e Kosovës, Njësinë e zjarrfikësve, qytetarët dhe kompanitë private, u përpoqëm të bëjmë më të mirën për tejkalimin e situatës.
Në lagjet dhe familjet më të rrezikuara, bëra vizita, duke shprehur solidaritetin njerëzor, ku theksova se ato nuk janë vetëm dhe po punojmë me të gjitha mundësitë për ta përmirësuar gjendjen.
Uji mungon në disa pjesë të komunës dhe këtë shqetësim e kam ngritur me urgjencë.
Me gjithë angazhimin e Ujësjellësit dhe vështirësive, të gjithë po e bëjnë të pamundurën për ta rikthyer normalitetin në tërë komunën edhe furnizimin me ujë.
Kërkoj nga qytetarët të jenë të kujdesshëm në trafik e të mos lëvizin pa nevojë, të jenë të përgatitur me pajisjet dimërore dhe të respektojnë ndalesat për rrugët e vërshuara apo ende të papastruara nga akulli.
Kompanitë e kontraktuara për pastrimin e borës dhe rrugëve, gjatë tërë ditës kanë qenë në krye të detyrës, duke qenë në shërbim të qytetarëve dhe në përpjekje për të normalizuar gjendjen.
Për shkak të rrethanave të krijuara nga vërshimet, bora, ngricat dhe mungesa e ujit, kam marrë vendim të pezullohet vijimi i mësimit në të gjitha nivelet e arsimit parashkollor e shkollor në komunën e Drenasit, deri të mërkurën, më 14.1.2026.
Të gjitha familjet dhe kompanitë në komunën e Drenasit të dëmtuara nga vërshimet, duhet të kërkojnë vlerësimin e dëmeve nga Komisioni komunal, por, procedurat rreth kompensimit duan kohë për kompensim nga niveli qendror.
Falënderoj qytetarët për mirëkuptim e bashkëpunim si dhe kompanitë private dhe qytetarët të cilët ndihmuan dhe po ndihmojnë në tejkalimin e situatës të shkaktuar nga vërshimet, bora, ngricat dhe mungesa e ujit.