RajoniTop Lajme

Emër tjetër konsensual për President përveç Vjosa Osmanit? Kështu përgjigjet Albin Kurti

Shpërndaje

Vjosa Osmani do edhe një mandat si presidente e vendit, por Albin Kurti parashikon se kjo do të ishte vështirë e realizueshme. Ai iu përgjigj dje edhe pyetjes nëse do të preferonte ndonjë emër tjetër “më konsensual” për President.

Albin Kurti sheh “mundësi jo vetëm teorike, por edhe praktike” që Kosova të shkojë sërish në zgjedhje, pasi të konstituohet Kuvendit dhe të formohet qeveria e re.

Kryeministri në detyrë e sheh të nevojshëm një takim me presidenten Vjosa Osmani, e cila një ditë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare ku Lëvizja Vetëvendosje fitoi 50% të votave, shfaqi ambicien e saj për mbetur ende në karrigen e shefes së shtetit.

Por Kurti foli dje në një intervistë për KosovaPress për vështirësitë që kjo të ndodhë.

“Tash, ne e kemi parë deklarimin e presidentes. Së pari duhet ta formojmë Kuvendin dhe qeverinë. Gjithashtu duhet të votojmë buxhetin. Unë besoj që këta janë hapat më të rëndësishëm. Pra, janë tre hapa para se të vijmë te rizgjedhja e presidentes. Dhe unë besoj që nga këta tre hapa ne do të shohim se si janë gjasat përpara. Unë kam deklaruar që është e rëndësishme që po ashtu të ulemi me presidenten dhe t’i diskutojmë të gjitha gjërat”.

“Nevojitet ky takim për shkak se 80 veta në sallë është vështirësi e konsiderueshme. Ju po e keni parasysh që herën e kaluar s’i bëmë dot 61. 80 është numër shumë më i madh se 61. Dhe përderisa kësaj radhe ne 61 i kemi, 80 nuk i kemi. Dhe këto marrëveshje ndërkombëtare, të cilat po përpiqemi t’i kalojmë sa më shpejt, unë besoj që gjithashtu do të mund të na japin indikacione për rrugën përpara. Por nuk besoj që është e drejtë, as e dobishme, që të flasim për hapin e katërt pa i parë këta tre të parët”, tha ai.

I pyetur nëse preferon ndonjë emër tjetër “më konsensual” për president, Kurti tha se tash për tash kjo s’mund të diskutohet.

“Nuk mund të diskutojmë për hapin e katërt pa këta tre të parët. Për besë, është shumë e rëndësishme që të përqendrohemi te këta tre hapat e parë: konstituimi i Kuvendit, votimi i qeverisë dhe kalimi i buxhetit 2026”.

Ai tha se nuk e di se çfarë qëndrimesh do të mbajnë partitë e opozitës në javët dhe muajt në vijim.

“Është e qartë që as marrëveshjet ndërkombëtare dhe as rizgjedhjen e presidentes, zgjedhjen e presidentit, ne nuk mund t’i kalojmë pa pasur edhe deputetë nga opozita”, tha Kurti.

Osmani e ka përmbledhur synimin e saj për të mbetur presidente e vendit edhe për 5 vitet e ardhshme me frazën “vazhdimësi e punëve të mira” dhe “të përbashkëta” me Kurtin, aleatin e saj me të cilin jo rrallë ka pasur mospajtime, të cilat së fundmi i relativizoi.