Maqedoni

Familja mesatare nuk mund të blejë banesë, rritje dramatike prej 25% e çmimeve të pasurive të paluajtshme

Shpërndaje

Çmimet e banesave në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë të rriten në mënyrë dramatike, duke e bërë blerjen e një shtëpie gjithnjë e më të paarritshme për familjet e reja dhe qytetarët me të ardhura mesatare. Sipas të dhënave të Bankës Popullore, në tremujorin e katërt të vitit 2025, çmimet e pasurive të paluajtshme janë rritur për 25 përqind në baza vjetore, duke mbyllur një vit me rritje të vazhdueshme dyshifrore. Indeksi bazohet në banesat e shpallura për shitje në Shkup, ku presioni mbi tregun është më i theksuar.

Të dhënat nga Regjistri i Çmimeve dhe Qirave të Kadastrës tregojnë se në komunën Qendër është arritur çmimi prej 3.000 euro për metër katror, çka ilustron edhe më tej mospërputhjen e thellë mes ofertës dhe fuqisë blerëse. Ndërkohë, lejet për ndërtim vazhdojnë të jepen pa ndërprerje. Sipas Entit Shtetëror të Statistikave, në tetor të vitit të kaluar janë lëshuar 446 leje ndërtimi, ndërsa janë parashikuar 1.177 banesa për ndërtim.

Nga sektori i ndërtimit pritet një qetësim i tregut. Andrea Serafimovski nga Shoqata e Ndërtimtarisë pranë Odës Ekonomike ka deklaruar për MIA se çmimet e materialeve ndërtimore janë stabilizuar dhe se në vitin 2026 mund të pritet balancim i ofertës dhe kërkesës, veçanërisht në rajonin e Shkupit, Pollogut dhe Pelagonisë.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se rritja e vazhdueshme e çmimeve ka pasoja më të gjera ekonomike dhe politike, nga thellimi i dallimeve sociale deri te rritja e migrimit të të rinjve.

Pa masa sistematike, tregu i banesave rrezikon të kthehet në një tjetër faktor që do të thellojë pasigurinë strehimore dhe varfërinë te qytetarët.