MaqedoniTop Lajme

Fetai dënon ashpër rastin me të miturën, mbështet reagimin e mënjehershëm të MPB-së

Shpërndaje

Zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë, Arben Fetai dënon ashpër aktin e abuzimit seksual dhe shantazhit ndaj një të miture në fshatin Sllupçan të Komunës së Likovës, siç u raportua sot nga mediat.

Reagimi i plotë:
Si Zëvendëskryeministër i Maqedonisë së Veriut, dënoj me ashpërsinë më të madhe aktet e rënda dhe të neveritëshme të abuzimit seksual dhe shantazhit ndaj një të miture në fshatin Sllupçan, Komuna e Likovës, siç është raportuar sot nga mediat.
Si shtet, kemi zero tolerancë ndaj çdo forme të dhunës seksuale, veçanërisht kur ajo ushtrohet ndaj të miturve. Këto vepra penale jo vetëm që shkatërrojnë jetën e viktimës dhe të familjes së saj, por edhe dëmtojnë rëndë besimin e qytetarëve në institucionet e shtetit.
Mbështes plotësisht veprimet e menjëhershme të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë dhe pres që Prokuroria Publike të veprojë me urgjencë, vendosmëri dhe profesionalizëm për të sjellë para drejtësisë të gjithë përgjegjësit, pa asnjë kompromis, si dhe për të siguruar dënime shembullore në përputhje me dispozitat e Kodit Penal.
Njëkohësisht, viktima dhe familja e saj meritojnë mbrojtje të plotë, si dhe mbështetje psikologjike dhe sociale nga institucionet kompetente. Qeveria do të sigurohet që të gjitha shërbimet e nevojshme të ofrohen pa asnjë vonesë.
Mbrojtja e fëmijëve dhe lufta kundër dhunës seksuale duhet të jenë prioritet absolut i të gjithë shoqërisë. U bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të denoncojnë çdo dyshim apo rast të abuzimeve të tilla, sepse heshtja vetëm sa i inkurajon kriminelët.