Gjashtë vende të NATO-s mbështesin Danimarkën: Grenlanda i përket popullit të saj
Danimarka së bashku me gjashtë vende të NATO-s, lëshuan deklaratë të përbashkët mbi Grenlandën, duke bërë thirrje të respektohet “sovraniteti, integriteti territorial dhe paprekshmëria e kufijve” pas thirrjeve të rinovuara nga SHBA-ja për të marrë e kontrollit e Grenlandës, transmeton Anadolu.
“Grenlanda i përket popullit të saj. Është detyrë e Danimarkës dhe Grenlandës të vendosin për çështjet që kanë të bëjnë me Danimarkën dhe Grenlandën”, thanë në një deklaratë udhëheqësit e Danimarkës, Francës, Gjermanisë, Italisë, Polonisë, Spanjës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Deklarata rithekson se siguria në Arktik mbetet “prioritet kyç për Evropën”, duke riafirmuar se shumë aleatë evropianë kanë rritur praninë, aktivitetet dhe investimet e tyre për ta mbajtur rajonin të sigurt.
“Siguria në Arktik duhet të arrihet kolektivisht, në bashkëpunim me aleatët e NATO-s, përfshirë SHBA-në, duke mbështetur parimet e Kartës së OKB-së, përfshirë sovranitetin, integritetin territorial dhe paprekshmërinë e kufijve. Këto janë parime universale dhe ne nuk do të ndalemi së mbrojturi ato”, theksuan udhëheqësit.
Ata vunë në dukje se SHBA-ja është “partner thelbësor në këtë përpjekje si aleat i NATO-s dhe nëpërmjet marrëveshjes së mbrojtjes midis Mbretërisë së Danimarkës dhe SHBA-së të vitit 1951”.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka shprehur vazhdimisht dëshirën e tij për të marrë kontrollin e Grenlandës, një territor vetëqeverisës brenda Danimarkës dhe nuk e ka përjashtuar mundësinë ta bëjë këtë me forcë ushtarake.
Një ditë pas operacionit ushtarak amerikan në Venezuelë që kapi presidentin Nicolas Maduro, Trump të dielën përsëriti thirrjet e tij për një pushtim amerikan të Grenlandës për hir të interesave të sigurisë së SHBA-së.
Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen i ka kërkuar Trumpit të “ndalojë kërcënimet”.
Disa vende evropiane si dhe Bashkimi Evropian treguan respekt për sovranitetin dhe integritetin territorial të Danimarkës dhe Grenlandën të hënën, duke hedhur poshtë çdo sugjerim se e ardhmja e ishullit mund të vendoset nga fuqitë e jashtme.

