MaqedoniTop Lajme

Gjykata Kushtetuese rishqyrton mbrojtjen e komunave nga përmbarimi?

Shpërndaje

A mund të mbeten “në shkopinj” komunat dhe ndërmarrjet publike të zhytura në borxhe, nëse Gjykata Kushtetuese shfuqizon nenin e Ligjit për Përmbarim që deri tani i mbronte nga përmbaruesit?

Gjatë viteve, ashtu si edhe aktualisht, pavarësisht se sa borxhe kanë ndërmarrjet publike apo komunat, ata ndaj të cilëve kanë detyrime nuk mund t’i arkëtojnë borxhet e tyre, pasi Ligji për Përmbarim i mbron këto institucione. Por kjo situatë shumë shpejt mund të ndryshojë, sepse Gjykata Kushtetuese ka hapur procedurë për rishqyrtimin e nenit të Ligjit për Përmbarim që mbronte ndërmarrjet dhe komunat debitore.

Bëhet fjalë për nenin 218, i cili parashikon:

“Mbi sendet dhe të drejtat e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe organeve të saj, njësive të vetëqeverisjes lokale dhe ndërmarrjeve publike nuk mund të zbatohet përmbarim për arkëtimin e kërkesave monetare, nëse ato janë të domosdoshme për kryerjen e veprimtarisë, përkatësisht të detyrave të tyre.

Cilat sende dhe të drejta janë të domosdoshme për kryerjen e veprimtarisë dhe detyrave të debitorit do t’i përcaktojë kryetari i gjykatës në territorin e së cilës zbatohet veprimi përmbarimor, nëse gjatë procedurës palët nuk bien dakord për këtë çështje ose nëse paraqitet nevoja për një gjë të tillë.”

Nga Gjykata Kushtetuese bëjnë të ditur se në këtë fazë të procedurës kanë shprehur dyshime se kjo dispozitë është e paqartë dhe e paprecizuar.

Sipas Gjykatës, me këtë zgjidhje ligjore, ligjvënësi vendos një ndalim të përgjithshëm dhe të paqartë për përmbarimin e sendeve dhe të drejtave, pa përcaktuar standarde juridike dhe pa sqaruar se cilat janë konkretisht sendet dhe të drejtat që janë të domosdoshme për kryerjen e veprimtarisë ose detyrave të këtyre subjekteve.

Gjykata dyshon se me një normë të tillë, vendimet gjyqësore të formës së prerë dhe aktet përmbarimore që qytetarët dhe subjektet juridike i kanë në cilësinë e kreditorëve, mbeten vetëm deklarative, pasi në praktikë nuk mund të zbatohen, sidomos për shkak se nuk është e qartë për cilat sende dhe të drejta bëhet fjalë.

Më tej, nga Gjykata Kushtetuese theksojnë se kjo dispozitë krijon pasiguri juridike dhe cenon drejtpërdrejt sigurinë juridike të subjekteve, gjë që bie ndesh me parimin kushtetues të sundimit të ligjit, të parashikuar në nenin 8 të Kushtetutës.

Gjithashtu, sipas Gjykatës, kufizimi i mundësisë për realizimin efektiv të kërkesave monetare përbën edhe cenim të së drejtës kushtetuese të pronës, të garantuar me nenin 30 të Kushtetutës.

Për parashtruesin e iniciativës, Nikollçe Mitevskin, problematik ishte vetëm paragrafi i parë i nenit 218, por gjatë seancës Gjykata vendosi që me iniciativë të vetë të hapë procedurë edhe për paragrafin e dytë të këtij neni.

Në iniciativë përmendet edhe një shembull nga praktika, që lidhet me pamundësinë e realizimit të së drejtës për pension të një personi të punësuar në një ndërmarrje komunale, të cilit nuk i janë paguar kontributet pensionale, megjithëse ka 15 vite përvojë pune. Edhe pse personi ka fituar një vendim gjyqësor të formës së prerë në favor të tij, ai nuk mund t’i arkëtojë kontributet nga ndërmarrja komunale, ndërsa përmbaruesi nuk mund të ndërmarrë veprime përmbarimore, pikërisht për shkak të paqartësisë së përmbajtjes së dispozitës së kontestuar.

Nga Gjykata Kushtetuese theksojnë se gjatë marrjes së vendimit do të merret parasysh edhe efekti juridik i vendimeve të mundshme për shfuqizim ose anulim të nenit, si dhe pasojat që kjo do të kishte për organet shtetërore, ndërmarrjet publike dhe komunat që përballen me përmbarime.

Kjo iniciativë dhe procedura para Gjykatës Kushtetuese kanë rëndësi të madhe, sepse nëse Gjykata e shfuqizon këtë nen, Kuvendi do të duhet të reagojë menjëherë me dispozita të reja ligjore. Përndryshe, institucionet shtetërore dhe ndërmarrjet publike debitore mund të mbeten pa pasurinë që zotërojnë, pasi përmbaruesit mund t’u konfiskojnë mekanizmin, mobiliet e zyrave, kompjuterët dhe pajisje të tjera.

Megjithatë, në fund do të duhet të gjendet një zgjidhje që edhe kreditorët, të cilët prej vitesh kanë kërkesa të papaguara ndaj këtyre institucioneve, të arrijnë t’i arkëtojnë ato.