RajoniTop Lajme

Haradinaj nderon heronjtë e betejës së Rogovës së Hasit

Shpërndaje

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka përkujtuar luftëtarët e betejës së Rogovës së Hasit, që më 27, 28 dhe 29 janar 1999 dhanë jetën për lirinë e Kosovës.

Haradinaj ka bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve në Kodrën e Kuqe në Klinë dhe ka rivendosur pllakën përkujtimore të dëshmorit Ilir Merturi, duke nderuar veprën heroike të luftëtarëve të UÇK-së.

“Në rrugëtimin e tyre për të siguruar armatim për bashkëluftëtarët, ranë heroikisht burra elitarë: Agron Rama, Agim Zeneli, Sejdi Rama, Agush Gjocaj, Bahtiar Morina, Daut Kelmendi, Emrush Çetaj, Gaspër Karaqi, Gëzim Ademaj, Hamdi Berisha, Haxhi Kleçka, Ilir Merturi, Kasim Shala, Luan Smajli, Memë Lleshi, Prend Lleshi, Naim Dreshaj, Naim Gashi, Sahit Krasniqi, Valon Gashi dhe Vesel Avdyli”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Ai ka shkruar se në përpjekje për të shpëtuar luftëtarët e plagosur, u flijuan edhe rogovasit: Rrustem Morina me djemtë Selmanin, Muhametin e Nusretin, Ibrahim Kryeziu, Xhevdet Berisha, Zyber Shala, Adem Shala dhe Rifat Shala.

“Rënia e tyre ishte goditje e madhe, por nuk u thyem. Përkundrazi, e vazhduam luftën duke jetësuqr amanetin e këtyre trimave, të cilët sot prehen në paqe në Kosovën e lirë! Faleminderit për shërbimin ndaj Atdheut!”, ka shkruar ai.