Komandanti i FSK-së priti në takim Drejtorin e Ushtrisë së Gardave Kombëtare të SHBA-së
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim zyrtar Drejtorin e Ushtrisë së Gardave Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjenerallejtënant Jonathan M. Stubbs i shoqëruar nga Gjeneral Major Levon E. Cumpton dhe delegacioni i tij.
Gjatë takimit u diskutua për bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet FSK-së dhe Byrosë së Garda Kombëtare së SHBA-së, në veçanti me Gardën Kombëtare të Ajova-s. Gjatë takimit u vlerësua lartë mbështetja në ngritjen e kapaciteteve profesionale, zhvillimin e trajnimeve të përbashkëta dhe avancimin e ndërveprueshmërisë që FSK ka krijuar me partnerët e saj. Gjithashtu, Gjeneral Jashari shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së ndaj Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke e vlerësuar këtë partneritet si thelbësor për zhvillimin dhe modernizimin e FSK-së.
Gjatw takimit, palwt u pajtuan se Programi i Partneritetit të Përbashkët (SPP) ndërmjet Gardës Kombëtare të Ajovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, është një shembull i suksesit dhe arritjeve të përbashkëta në aktivitete të ndryshme.
Në fund të takimit, të dy gjeneralët u pajtuan që thellimi i bashkëpunimit është thelbësor për avancimin e ndërveprueshmërisë së forcave tona, njëherit u theksua nevoja e mbështetjes së SHBA në përmbushjen e synimit tonë strategjik, drejt anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare të sigurisë, në funksion të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal. 🇽🇰🤝🇺🇸

