Kompania amerikane Carlyle arrin marrëveshjet për t’i blerë asetet globale të Lukoil-it rus
Firma amerikane e kapitalit privat, Carlyle Group, ka arritur marrëveshje për t’i blerë shumicën e aseteve të huaja të Lukoilit, të vlefshme rreth 22 miliardë dollarë.
Lukoil, kompania e dytë më e madhe e naftës në Rusi, është e detyruar t’i shesë këto asete për shkak të sanksioneve amerikane.
Shitja, për të cilën njoftuan të dyja kompanitë të enjten, vjen në një moment kur negociatorët rusë, ukrainas dhe amerikanë po përpiqen të arrijnë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Kjo shitje do të shënonte fundin e përpjekjeve të Lukoilit, të paktën tani për tani, për t’u bërë aktor global.
As Lukoil dhe as Carlyle nuk treguan çmimin e shitjes së aseteve.
Shitja duhet të miratohet nga agjencia amerikane që administron sanksionet. Thesari i SHBA-së i kishte dhënë Lukoilit afat deri më 28 shkurt për ta shitur portofolin e tij global.

