RajoniTop Lajme

Kryeministri Kurti, Presidentja Osmani dhe ambasadori Walker nderojnë 27-vjetorin e Masakrës së Reçakut me homazhe dhe thirrje për drejtësi

Shpërndaje

Në shënimin e 27-vjetorit të Masakrës së Reçakut, një prej ngjarjeve më të dhimbshme dhe më vendimtare në historinë e Kosovës, udhëheqësit më të lartë institucionalë të vendit – Kryeministri Albin Kurti, Presidentja Vjosa Osmani, Kryetari i Kuvendit Dimal Basha, së bashku me Ambasadorin William Walker dhe Kryetarin e Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu – bënë homazhe në Reçak, në nderim të dëshmorëve dhe martirëve që sakrifikuan jetën për lirinë e Kosovës.

Në këtë përvjetor, u rikujtua edhe një herë e vërteta historike e zbardhur para botës nga ambasadori Walker, si dhe domosdoshmëria që drejtësia për viktimat e Reçakut të vihet në vend, për të siguruar paqe dhe siguri të qëndrueshme në rajon.

Postimi:
Homazhe në Reçak
Në 27 vjetorin e Masakrës së Reçakut, Kryeministri, Albin Kurti, bashkë me Presidenten, Vjosa Osmani, Kryetarin e Kuvendit, Dimal Basha, Ambasadorin, William Walker dhe Kryetarin e Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu bënë sot homazhe në Reçak, në kujtim të dëshmorëve dhe martirëve falë të cilëve Kosova e fitoi lirinë e saj.
Kryeministri Albin Kurti tha se para 27 vjetëve, nga Reçaku nëpërmjet ambasadorit William Walker jehoi e vërteta për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe krimin e gjenocidit të Serbisë si shtet ndaj popullit shqiptar në Kosovë.
“Jemi këtu që të shprehim dhimbjen tonë për këtë plagë të hapur, së cilës ende i mungon drejtësia, por njëkohësisht edhe përkushtimin tonë që gjithmonë do të jemi të angazhuar për të sjellë kriminelët para gjyqit dhe për t’i ndëshkuar ata për mizoritë e para 27 vjetëve”, shtoi Kryeministri Kurti.
Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha tha se Reçaku për ne mbetet një plagë e hapur sepse ende nuk ka drejtësi. Si institucione nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi për shkak se besojmë thellë se pa drejtësi për viktimat e Reçakut dhe viktimat gjithandej në Kosovë, do të jetë shumë e vështirë të ketë paqe dhe siguri në rajon.
Lavdi të gjithë dëshmorëve dhe martirëve tanë!
Gjaku i tyre është udhërrëfyes në rrugëtimin tonë politik.