Kurti: Reçaku mbetet pjesë e pandashme e betejës për të vërtetën dhe drejtësinë
Pas homazheve në Kompleksin Memorial në Reçak në kuadër të shënimit të 27-vjetorit të Masakrës së Reçakut, në Shtëpinë e Kulturës në Komunën e Shtimes u mbajt akademia përkujtimore.
Duke shprehur dhembjen e thellë për viktimat, Kryeministri Kurti, në fillim të fjalës së tij, tha se Republika e Republika e Kosovës ku sot jetojmë të lirë, ka rrënjët në gjakun e derdhur të martirëve e dëshmorëve, në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në sakrificën dhe qëndresën e popullit tonë liridashës.
Ishte pikërisht Reçaku, tha Kryeministri Kurti, në qendër të procesit gjyqësor kundër Sllobodan Millosheviqit para Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, duke dëshmuar se krimet në Kosovë ishin pjesë e politikës shtetërore të dhunës së Serbisë ndaj popullsisë civile shqiptare. Edhe pse ky proces nuk u përmbyll me aktgjykim për shkak të vdekjes së Millosheviqit, faktet dhe dëshmitë për Reçakun mbetën të regjistruara në drejtësinë ndërkombëtare, si konfirmim se e vërteta për këto krime nuk mund të mohohet, dhe se drejtësia, sado e vonuar, mbetet detyrim moral dhe historik.
Postimi i plotë:
Reçaku mbetet pjesë e pandashme e betejës për të vërtetën dhe drejtësinë. Masakra e 15 janarit 1999 ishte në qendër të procesit gjyqësor kundër Sllobodan Millosheviqit para Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, duke dëshmuar se krimet në Kosovë ishin pjesë e politikës shtetërore të dhunës së Serbisë ndaj popullsisë civile shqiptare. Edhe pse ky proces nuk u përmbyll me aktgjykim për shkak të vdekjes së Millosheviqit, faktet dhe dëshmitë për Reçakun mbetën të regjistruara në drejtësinë ndërkombëtare, si konfirmim se e vërteta për këto krime nuk mund të mohohet, dhe se drejtësia, sado e vonuar, mbetet detyrim moral dhe historik. Muajin e kaluar, të vitit që lamë pas, Republika jonë ndërmori edhe një hap të rëndësishëm në rrugën e drejtësisë, kur Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngriti aktakuzë ndaj 21 personave për Masakrën e Reçakut, për krime lufte. Kjo aktakuzë afirmon se krimi ka autorë dhe se e vërteta nuk parashkruhet. Drejtësia nuk ndalet kur kriminelët fshehën në Serbi apo edhe strehohen nga shteti atje; drejtësia ecën përherë përpara, sepse shteti i Kosovës nuk harron kurrë.
Sot, duke nderuar martirët e Reçakut, Republika e Kosovës riafirmon angazhimin e përhershëm e të përjetshëm për të vërtetën, për drejtësi dhe për paqe të qëndrueshme.
I përjetshëm qoftë kujtimi i martirëve dhe dëshmorëve të Reçakut dhe atyre në përgjithësi të kombit tonë mbarë, të cilët ranë për lirinë që e gëzojmë sot dhe shtetin që kemi!
Fjala ime e plotë në Akademinë Përkujtimore në shënim të 27-vjetorit të Masakrës së Reçakut:
E nderuara presidente e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani Sadriu,
I nderuari kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Dimal Basha,
I nderuari ambasador William Walker,
Të nderuar deputetë, kolegë nga ekzekutivi dhe legjislativi i vendit tonë, drejtues e përfaqësues të institucioneve të shtetit,
I nderuari zëvendëskomandant i FSK-së, Gjeneral Enver Cikaqi,
Të nderuar ushtarakë e policë të ushtrisë e policisë sonë,
I nderuari kryetar i Komunës së Shtimes, z. Qemajl Aliu,
I nderuar kryetar i fshatit Reçak, z. Adem Ramadani,
Shkëlqesi ambasadorë dhe përfaqësues të tjerë diplomatikë të vendeve mike të akredituara në Kosovë,
E nderuara kryetare e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani,
I nderuari Lulzim Jashari, i biri i Kryekomandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari,
Të nderuara familje të dëshmorëve dhe të martirëve të kombit,
Të nderuar invalidë dhe veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës
Të nderuar përfaqësues të organizatave të dalura nga lufta,
Zonja dhe zotërinj,
Motra dhe vëllezër,
Jemi mbledhur në Reçak, për nderimin e kujtimit të 45 të vrarëve më 15 janar 1999.
Jemi bashkë, në përvjetorin e 27-të, për të përmbushur përgjegjësitë tona njerëzore e shtetërore, që tejkalojnë kohën: obligimin ndaj kujtesës, ndaj të vërtetës dhe ndaj drejtësisë.
Të dashur familjarë të të vrarëve në masakrën e Reçakut,
Të nderuar fëmijë dhe pasardhës të martirëve dhe dëshmorëve këtu në Reçak,
Sot u përkulemi me respekt të thellë. Dhimbja juaj është dhimbja jonë. Shteti ynë, Republika e Kosovës ku ne jetojmë sot të lirë, i ka rrënjët në gjakun e derdhur të martirëve dhe dëshmorëve, në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në sakrificën dhe qëndresën e popullit tonë liridashës.
Të dashura motra dhe vëllezër,
Krimet e kryera në Reçak nuk mund të fshihen nga historia e shtetit gjenocidal të Serbisë që i kreu, e as nga historia e popullit tonë që i përjetoi me aq shumë dhembje dhe i trashëgoi me kaq shumë vuajtje.
Reçaku ishte dhe mbetet pjesë e pandashme e betejës për të vërtetën dhe drejtësinë. Ishte në qendër të procesit gjyqësor kundër Sllobodan Millosheviqit para Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, duke dëshmuar se krimet në Kosovë ishin pjesë e politikës shtetërore të dhunës së Serbisë ndaj popullsisë civile shqiptare. Edhe pse ky proces nuk u përmbyll me aktgjykim për shkak të vdekjes së Millosheviqit, faktet dhe dëshmitë për Reçakun mbetën të regjistruara në drejtësinë ndërkombëtare, si konfirmim se e vërteta për këto krime nuk mund të mohohet, dhe se drejtësia, sado e vonuar, mbetet detyrim moral dhe historik.
Në përmbushje të obligimit për drejtësi, kemi ndërtuar kornizën ligjore për mundësimin e gjykimit në mungesë për krimet e luftës. Në dhjetor të vitit 2025, pra në muajin që shkoi, Republika e Kosovës ndërmori edhe një hap të rëndësishëm në rrugën e drejtësisë, kur Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngriti aktakuzë ndaj 21 personave për Masakrën e Reçakut, për krime lufte. Kjo aktakuzë afirmon se krimi ka autorë dhe se e vërteta nuk parashkruhet. Drejtësia nuk ndalet kur kriminelët fshehën në Serbi apo edhe strehohen nga shteti atje; drejtësia ecën përherë përpara, sepse shteti i Kosovës nuk harron kurrë.
E sot, përveç 45 martirëve, përkujtojmë edhe komandantin e Brigadës 161 të ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ahmet Kaçikun, i cili pikërisht sot e ka ditëlindjen, do të bëhej 62 vjeç, por kur ishte veçse 35 vjeç bashkë me 10 luftëtarë të tjerë, ranë dëshmorë të kombit në mbrojtje të kufomave të të vrarëve civilë, të trupave të pajetë të martirëve në Reçak. Fillimisht ai u varros në varrezat e dëshmorëve në Mollopolc, aty ku ishte vendi i betejës e i luftimit, ndërkaq sot, prehet i qetë në varrezat e dëshmorëve në Ferizaj.
I nderuari dhe shumë i dashuri ambasador William Walker,
Ju keni një vend të rëndësishëm në historinë moderne të Republikës së Kosovës dhe, mbi të gjitha, një vend të veçantë në zemrat tona. Në një periudhë kur e vërteta për Kosovën shpesh anashkalohej ose zbehej në diskursin ndërkombëtar, ju e artikuluat qartë dhe me përgjegjësi realitetin e krimeve të kryera nga Serbia. Këtë dëshmi e keni lënë trashëgimi përmes librit të kujtimeve, përmbledhur nën titullin “Reçak: Historia e një krimi lufte”, për çfarë ju përgëzoj edhe njëherë.
Siç dokumentohet në librin tuaj, informatat fillestare që kishte marrë Misioni Verifikues i OSBE-së në Kosovë, flisnin për katër ose pesë të vrarë. Më 16 janar 1999, ju vendosët të vini vetë në Reçak, dhe ajo që dëshmuat, sipas fjalëve tuaja, ishte: “masakër e qëllimshme dhe brutale e burrave dhe djemve të një fshati”. Për këtë, ju deklaruat: “Konsideroj veten se jam veteran i ashpër ndaj dhunës dhe mizorisë së njeriut ndaj njeriut, por ajo që pashë në Reçak ishte diçka përtej asaj”. Qeveria e Republikës së Kosovës e ka mbështetur botimin e librit, si burim tejet i rëndësishëm historik dhe si shprehje nderimi për ata që ranë për liri.
Me mirënjohje të thellë, sot e gjithmonë, u jemi falënderues edhe të gjithë miqve e partnerëve ndërkombëtarë, që qëndruan në anën e së vërtetës në ato ditë të errëta për Kosovën. Masakra e Reçakut e zgjoi ndërgjegjen ndërkombëtare dhe çoi te ndërhyrja e NATO-s. Mbështetja dhe veprimi i bashkësisë ndërkombëtare mbeten pjesë e pandashme e historisë së shtetndërtimit të Kosovës së bashku me luftën e lavdishme të UÇK-së.
Të nderuar zonja dhe zotërinj,
Si pjesë e përkushtimit afatgjatë shtetëror, kemi themeluar me ligj, Institutin për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë. Ky institut është mekanizëm i domosdoshëm për ballafaqimin me të kaluarën dhe për ndërtimin e bazës së qëndrueshme të së vërtetës për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë e që janë jo vetëm krime të luftës, por edhe krime kundër njerëzimit dhe gjenocidi i Serbisë.
Për ta ruajtur të vërtetën e Reçakut për brezat që vijnë pas nesh, Qeveria ka nisur procesin për zhvillimin e kompleksit memorial, përmes grupit punues dhe ekipeve profesionale të angazhuara nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Këto ekipe po bëjnë analizë dhe dokumentim të hollësishëm të gjendjes ekzistuese të fshatit, me ndjeshmëri dhe respekt ndaj kujtimit të më të dashurve tuaj dhe për t’i dhënë me përgjegjësi kuptim dhe kujtesë popullit tonë në aspektin kolektiv edhe për të ardhmen, përkatësisht gjeneratat e ardhshme.
Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,
Kosova e sotme është shtet i pavarur dhe i sigurt, me institucione demokratike që funksionojnë, me stabilitet institucional, me ekonomi që rritet dhe me mirëqenie që shpërndahet, me qytetarë që jetojnë në paqe, e fëmijë që ëndërrojnë lirshëm, falë realizimit të ëndrrës së madhe të lirisë.
Liria që gëzojmë sot është fryt i përpjekjes, rezistencës dhe i angazhimit të vazhdueshëm, të përbashkët. Andaj, sot, vijojmë të punojmë për një shtet që garanton e mbron të drejtat dhe dinjitetin njerëzor, me sundim të rendit dhe ligjit, me integritet territorial e sovranitet shtetëror, për zhvillim ekonomik e progres shoqëror.
Sot, duke nderuar martirët e Reçakut, Republika e Kosovës riafirmon angazhimin e përhershëm e të përjetshëm për të vërtetën, për drejtësi dhe për paqe të qëndrueshme.
I përjetshëm qoftë kujtimi i martirëve dhe dëshmorëve të Reçakut dhe atyre në përgjithësi të kombit tonë mbarë, të cilët ranë për lirinë që e gëzojmë sot dhe shtetin që kemi!
Lavdi!

