BotaTop Lajme

“Kush zotëron naftën, kontrollon kombet!” Venezuela, shteti i parë në botë për rezervat e “arit të zi”

Shpërndaje

Venezuela është vendi i parë në botë për rezervat më të mëdha të naftës së papërpunuar me plotë 303 miliardë fuçi. Kina është shteti me importet më të mëdha të naftës venezueliane me 68 për qind të totalit, ndjekur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 23 për qind. Rrëzimi i Nikolas Maduro si president i Venezuelës nuk pritet të ndikojë fortë në tregje në përgjithësi dhe as te ai i naftës në veçanti.

“Kush kontrollon naftën, kontrollon kombet.” …. kjo thënie e ish-Sekretarit Amerikan të Shtetit, Henry Kissinger në vitet ‘70 mbetet po aq e aktuale dhe sot. “Ari i zi” ka qenë në qendër të gjeopolitikës dhe konflikteve për më shumë se një shekull. Venezuela është vendi i parë në botë për rezervat më të mëdha të naftës së papërpunuar me plotë 303 miliardë fuçi, raporton A2 CNN.

Ajo lë pas Arabinë Saudite me 276 mijë, Iranin me 209 mijë apo Kanadanë, Irakun, Emiratet e Bashkuara Arabe e Rusinë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, superfuqi ekonomike dhe ushtarake renditen në pozicionin e 9-të me 69 miliardë fuçi naftë të papërpunuar duke lënë pas Libinë me 48 miliardë të tilla, shkruan A2 CNN.

Para sanksioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Venezuela prodhonte mbi 2 milionë fuçi naftë në ditë në 2017-n, sasi kjo që u ul në 1 mijë e 511 milionë në 2018-n apo pak më shumë se 1 milion në 2019-n. Sasia e naftës së prodhuar nga Venezuela ra në 569 milionë fuçi në 2020 kur u ashpërsuan edhe sanksionet e Uashingtoni ndaj Karakasit. Trajektorja e prodhimit të “arit të zi” vijoi rënien, përcjell A2 CNN.

Kina është shteti me importet më të mëdha të naftës venezueliane me 68 për qind të totalit, ndjekur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 23 për qind. Në Evropë, Spanja është ndër importuesit kryesorë me 4 për qind të totalit, raporton A2 CNN.

Analistë të tregjeve vlerësojnë se arrestimi dhe deportimi i presidentit të Venezuelës, Nikolas Maduro nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk pritet të ndikojë fortë në tregje në përgjithësi dhe as te ai i naftës në veçanti, përcjell A2 CNN.

Kjo pasi tregjet globale aktualisht janë të mbingopura, ndaj çdo rritje çmimi për shkak të konfliktit pritet të jetë modeste, rreth 1–2 dollarë për fuçi. Madje, marrja në kontroll e prodhimit të naftës në Venezuelë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shoqëruar nga heqja e sanksioneve mund të ndikonte në shtimin e eksporteve dhe rrjedhimisht në rënien e çmimit të “arit të zi” në bursa.