RajoniTop Lajme

Lumir Abdixhiku mbetet në krye të LDK-së, Kuvendi i partisë votoi kundër dorëheqjes së tij

Shpërndaje

Lumir Abdixhiku do të vazhdojë në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Kuvendi i partisë, i mbledhur ditën e sotme, ka votuar kundër dorëheqjes së tij si kryetar pas humbjes në zgjedhjet e dhjetorit.

Sipas mediave, 164 delegatë ishin kundër dorëheqjes dhe 136 pro dorëheqjes së Abdixhikut. Në një deklaratë për mediat, Abdixhiku e cilësoi qëndrimin e tij në krye të partisë si privilegj dhe përgjegjësi.

“Me votim të mbyllur u dha verdikti i anëtarësisë së LDK-së për të cilin jam falënderues, por po ashtu jam edhe mirënjohës i mbështetjes së vazhdueshme, por edhe kundërshtimeve në këtë proces përpara”, tha ai.

Pas dështimit në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, ku LDK siguroi vetëm 15 vende në Kuvend, Abdixhiku njoftoi se do ta ofrojë dorëheqjen në Kuvendin e partisë dhe se më pas kuvendarët do të vendosnin nëse do ta pranonin apo jo.

Abdixhiku është kryetar i LDK-së që nga 14 marsi i vitit 2021. Më 19 nëntor 2023, ai u rizgjodh në krye të partisë. Abdixhiku është pjesë e LDK-së që nga viti 2017.