MaqedoniTop Lajme

Më 1 shkurt do të fillojë zbatimi i sistemit “Qyteti i Sigurt”, MPB vendos kamera përgjatë korridoreve 8 dhe 10

Shpërndaje

Edhe më pak se një muaj na ndan nga zbatimi i plotë i sistemit “Qyteti i Sigurt”. Autoritetet e MPB-së aktualisht janë duke punuar në miratimin e disa akteve ligjore dhe në përditësimin e sistemit me të dhëna të sakta, ndërkohë që po vendosen edhe kamera të tjera të sigurisë përgjatë korridoreve 8 dhe 10. Këto kamera, sipas autoriteteve të MPB-së, së shpejti do të vihen në funksion për fazën e testimit, ndërsa pas përfundimit të testimit dhe miratimit të akteve ligjore, më 1 shkurt do të fillojë zbatimi i plotë i sistemit “Qyteti i Sigurt” në të gjithë territorin e vendit, bëjnë të ditur nga MPB.

“Aktualisht, sistemi “Qyteti i Sigurt” funksionon në territorin e qytetit të Shkupit, ndërsa së shpejti planifikohet aktivizimi i tij edhe në Kumanovë dhe Tetovë. Pajisjet tashmë janë të vendosura edhe në korridoret 8 dhe 10 dhe në çdo moment pritet të fillojë detektimi i shkeljeve në trafik edhe atje. Gjatë vitit 2026 është paraparë që sistemi të fillojë të funksionojë në të gjithë territorin e shtetit. Tani ndodhemi në një periudhë testuese, gjatë së cilës qytetarët marrin vetëm paralajmërim për shkeljen e trafikut të kryer. Është paraparë që nga data 01.02.2026 sistemi të funksionojë plotësisht dhe të fillojë sanksionimi i qytetarëve që kryejnë shkelje të evidentuara nga kamerat.”, – deklaroi zëdhënësi i MPB-së, Goce Andreevski.