Mickoski: Në ditët në vijim do të ketë lajme të mira nga SHBA-të për Maqedoninë
Pas pezullimit të vizave amerikane për Maqedoninë, kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi sot se në ditët në vijim do të ketë lajme të mira nga SHBA-të për Maqedoninë, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Ai e tha këtë duke komentuar pezullimin e vizave të emigracionit amerikan për 75 vende, përfshirë edhe Maqedoninë.
“Ministria e Punëve të Jashtme tashmë e ka dhënë komentin e saj për këtë, bëhet fjalë për viza imigruese, jo për viza studimi apo vizita turistike. Por, mendoj se në ditët në vijim do të ketë lajme të mira dhe të këndshme për qytetarët e vendit kur bëhet fjalë për këtë lloj marrëdhënieje me partnerin tonë strategjik.
Do të isha i kujdesshëm dhe i durueshëm dhe pres shumë lajme të mira për Maqedoninë në periudhën e ardhshme”, tha Mickoski pasi vizitoi palestrën e rindërtuar sportive në Kratovë.
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Muçunski, shpjegoi dje gjithashtu se pezullimi i vizave amerikane vlen vetëm për vizat e emigrantëve, dhe jo për vizat për nevojat e studentëve ose vizat turistike.

