MaqedoniTop Lajme

Mickoski: Në takimin e liderëve u hapën shumë çështje dhe për pjesën më të madhe të tyre kemi gjuhë të përbashkët

Shpërndaje

Në vijim të zhvillimeve politike dhe takimit të sotëm të liderëve, kryetari i VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, doli me një deklaratë për opinionin, duke theksuar rëndësinë e qasjes së pjekur dhe konstruktive të të gjithë pjesëmarrësve në tryezë.

Ai potencoi se gjatë takimit u hapën një sërë çështjesh të rëndësishme dhe se për pjesën më të madhe të tyre është arritur një mirëkuptim i ndërsjellë dhe gjuhë e përbashkët, duke sinjalizuar një klimë më bashkëpunuese në skenën politike të vendit.

Deklarata e tij i plotë:

Të nderuar qytetar,

Së pari dua të theksoj se sot opinioni ishte dëshmitar i një qasjeje ndryshe në zgjidhjen e çështjeve të hapura – diçka që ndoshta nuk ka ndodhur në 35 vitet e fundit të shtetësisë. Kjo u arrit përmes një diskutimi, do të thoja, shumë të frytshëm në kuadër të këtij takimi të liderëve dhe një debati që, duhet ta them, në masë të caktuar ishte i mbushur me propozime dhe ide. Shumica e çështjeve të hapura u adresuan dhe për pjesën më të madhe të tyre kemi të njëjtin mendim, gjuhë të përbashkët; për disa dallojmë në qëndrime, gjë që është normale. Por ajo që është e rëndësishme për mua është se nëpërmjet këtij diskutimi, ku të gjithë pjesëmarrësit folën hapur para jush – gazetarëve dhe opinionit maqedonas – u theksua se takimi ka qenë konstruktiv. Si organizator dhe Kryeministër, kjo për mua paraqet kënaqësi të vërtetë, sepse qytetarët e Maqedonisë, në këtë periudhë festash, mundën të shohin një sjellje ndryshe nga faktorët politikë – një sjellje të pjekur dhe konstruktive, që nënkupton tejkalimin e problemeve, e jo krijimin e tyre.

Propozova që takime të tilla të mbahen më shpesh, dhe njëkohësisht propozimi im u pranua nga të gjithë pjesëmarrësit: debati për disa nga çështjet që diskutuam sot të vazhdojë në Kuvend, në nivelin e koordinatorëve të grupeve parlamentare. Jam i bindur se për të gjitha çështjet e hapura që kërkojnë urgjencë në ditët në vijim do të gjendet zgjidhje dhe do të tejkalohen.

Ajo që aktualisht është më urgjente për mua dhe për çka duhet të gjendet zgjidhje sa më shpejt – dhe mendoj se sot arritëm një kompromis të caktuar – është ligji për kundërvajtjet, me të cilin projekti “Safe City” ose “Qyteti i Sigurt” do të mund të fillojë të funksionojë nga 1 shkurti i këtij viti, ashtu siç është planifikuar. Ky ligj kërkon shumicë prej dy të tretash dhe nuk ka nevojë për shumicë sipas Badenterit.

Mendoj se sot të gjithë u pajtuam për çështjen e qeverisë teknike. Të gjithë të pranishmit u pajtuam; kishte një sugjerim nga një pjesëmarrës për një konsultim me bashkësinë ndërkombëtare, por në përgjithësi të gjithë ramë dakord se qeveria teknike duhet të mbetet në të kaluarën. Mendoj se duhet të tregojmë përgjegjësi edhe para bashkësisë ndërkombëtare se mund të marrim vendime të pjekura vetë. Për mua kjo është një vendim i pjekur dhe besoj se qeveria teknike duhet të largohet përfundimisht. Sidoqoftë, nuk është në karakterin tim dhe as në mënyrën time të të menduarit që kjo të bëhet pa konsensus në kuadër të grupeve parlamentare.

Sot e patë se një koalicion mungonte, prandaj nëse ai koalicion nuk e pranon ndryshimin e Ligjit për Qeverinë me të cilin do të hiqej qeveria teknike për zgjedhjet e ardhshme parlamentare – e dini se ky ligj ndryshohet me shumicë të thjeshtë prej 61 votash – propozimi im ishte të mos e bëjmë këtë me forcë, pa pajtimin e tyre. Në vend të kësaj, propozova që ndryshimet të vlejnë pas zgjedhjeve të ardhshme, pra pas këtyre zgjedhjeve të radhës, nëse ata këmbëngulin që qeveria teknike të zbatohet edhe njëherë. Ndryshimet të vlejnë për zgjedhjet e ardhshme pas këtyre, që të mos ketë më qeveri teknike. Por ndërkohë duhet të bëjmë ndryshime të caktuara në Ligjin për Qeverinë, sepse ka ndryshime në resorë. Për shembull, Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës është ndarë në Ministrinë e Administratës Publike dhe Ministrinë e Transformimit Digjital. Ministria e Politikës Sociale dhe Punës ka tash funksione të reja – tani është Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë – ndërsa sektori i punës ka kaluar te Ministria e Ekonomisë. Prandaj duhet të precizohet se ku do të emërohen ministrat dhe zëvendësministrat shtesë nëse qeveria teknike do të zbatohet përsëri.

Ne jemi të gatshëm që nëse nuk ka konsensus për të hequr qeverinë teknike për zgjedhjet e ardhshme, atëherë ta bëjmë të paktën pas atyre zgjedhjeve dhe që ajo të mos përsëritet më kurrë. Do t’ju kujtoj se në kohën e Marrëveshjes së Përzhinës, qeveria teknike ishte e paraparë vetëm për ato zgjedhje dhe për një periudhë të kufizuar. Sot, nga njëra anë synojmë anëtarësim në BE, ndërsa nga ana tjetër kërkojmë qeveri teknike – gjë që për mua është kundërthënëse. Por për të dalë nga ky qorrsokak, ne e pranojmë këtë kompromis. Nëse opozita (LSDM) mendon se për zgjedhjet e ardhshme nevojitet qeveri teknike, në rregull, le të jetë. Por pas atyre — kushdo që të fitojë — të mos ketë më qeveri teknike.

Diskutuam edhe për zgjedhjen e Avokatit të Popullit – besoj se këtu do të duhet të gjejmë zgjidhje kreative në ditët që vijnë. Diskutuam edhe për Kodin Zgjedhor, numrin e njësive zgjedhore, mënyrën e votimit të diasporës, dhe disa tema ekonomike. Kështu që unë e vlerësoj këtë takim si një mënyrë të re dhe një qasje të re për zgjidhjen e problemeve, e jo për gjenerimin e tyre.

Pres propozime nga opozita që edhe shumica qeverisëse do t’i mbështesë, e që do të përmirësojnë cilësinë e jetës së qytetarëve. Duhet të piqemi në këtë proces dhe jam vërtet i kënaqur që pas 35 viteve, patëm një takim të liderëve ku u ofruan zgjidhje e jo konflikte.

Ju faleminderit.